Hetimet për Tunelin e Llogarasë, Bardhi: Tenderi u vendos përpara garës
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi në një deklaratë për media referuar dosjes për Tunelin e Llogarasë dhe marrjes në hetim nga SPAK të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, pretendon se kompania fituese turke paracaktuar dhe se vendimet janë marrë në mënyrë të paligjshme. Ai theksoi se kryeministri Rama po e mbron ministren Balluku nga drejtësia.
“Dosja provon si u paracaktua kompania turke. Belinda Balluku drejton shtetin me telefon dhe mesazhe personale. Balluku emëroi personalisht Drejtorin e Rrugëve për aferën e Llogarasë. Tenderi u vendos përpara garës. Zbulohet zinxhiri i abuzimit, nga Rama te Balluku dhe vartësit. Një kryeministër që mbron të pandehurit nuk mund të flasë për integrim europian”, deklaroi Bardhi.
Ai shtoi se Rama, me qëndrimin e tij, ka frikë ta shkarkojë Ballukun nga detyra. “Sipas prokurorisë”,- thekson Bardhi, -“kompania turke fituese nuk i ka plotësuar kriteret teknike dhe financiare të kërkuara nga ligji, ndërsa shpallja e saj si fituese është bërë në kundërshtim me rregullat, në sajë të veprimeve të drejtpërdrejta të ministres Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave”.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi zyrtarisht më 31 tetor 2025, ngritjen e akuzës penale ndaj Ministres në detyrë të Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Akuza specifike është për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, në bashkëpunim (nenet 258/2 dhe 25 i KP).
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




