“Në Kohë Reale”- Sindikata e Naftëtarëve zbulon detaje nga takimi me Ministrinë e Ekonomisë dhe “Bankers”

Aktualitet | 12 muaj më parë

Naftëtarët e Marinzës në Fier kanë dalë nga greva ndërsa vijojnë me protestat.

Kryetari i Sindikatës së Naftëtarëve, Dritan Shahu, i ftuar në emisionin “Në Kohë Reale” në moderimin e Flori Gjini në RTSH1 zbuloi më shumë detaje nga takimi që ka zhvilluar me përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe kompanisë “Bankers”.

Shahu bëri me dije se nga ana e sindikatës së naftëtarëve janë bërë lëshime, ndërsa sipas tij, kompania mban të njëjtin qëndrim.

Ai përsëriti kërkesat e naftëtarëve të Marinzës, ndërsa zbuloi që javën tjetër do te ketë një tjetër takim.

“Takimi ishte pak i tensionuar, zgjati rreth 3 orë. Kanë qenë palët që janë në konflikt, pra Sindikata dhe “Bankers”, përfaqësues të lartë të Ministrisë së Ekonomisë si edhe përfaqësues të Inspektoriatit Shtetëror të Punës. Takimi, siç e thash ishte me presione të larta, por që është munduar nga pala e tretë për të arritur në një ndërmjetësim. Ne kërkojmë të drejtat tona, kërkojmë kërkesa të fushës sikurse të trajtohemi me paga dinjitoze, mos të ketë më diferenca të larta ndërmjet punonjëse dhe shefave. Por nga kompania deklarohet që ne nuk kemi para dhe nuk tërhiqemi nga ajo që kemi thënë që në fillim, që nuk mundemi. Këtu është këmbëngulur shumë nga kompania, madje janë kundërshtuar shumë nga ato që ne thamë.

Ministria e ka rolin e ndërmjetësuesit, ka kërkuar nga të dyja palët të bëjnë lëshimet e veta. Ne kemi bërë një lëshim nga kërkesa jonë, duke qene se kemi kërkuar 18 për qind të fondit të pagave dhe kemi arritur një 8 për qind, si fillim si limit fundor për të shikuar pagat e ulëta. Kjo do na ulte ne me një marrëveshje të pranueshme. Është kërkuar një afat nga kompania dhe javën tjetër do te kemi një tjetër takim. Sot kemi 22 ditë në këtë gjendje ku 17 ditë janë kaluar në greve urie”, tha Shahu.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme