Zgjedhjet e pjesshme vendore, Baçi: Pjesëmarrje e ulët, duhet gjetur mënyra për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për të votuar
Rezultati i prodhuar nga zgjedhjet e pjesshme vendore të mbajtura në 5 bashki të vendit, e nxori Partinë Socialiste fituese në Mat, Tepelenë, Berat, Vlorë dhe Cërrik.
Analisti politik, Agim Baçi deklaroi për “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH1, se pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte e ulët. Ai deklaroi se nevojitet gjetja e mënyrave për t’i ndërgjegjësuar qytetarët për të ushtruar vullnetin e tyre për të votuar e për të vendosur për drejtuesit që do marrin drejtimin e bashkive. Ai shtoi se, në zgjedhje u angazhuan kryesisht nëpunësit.
“Ishte rezultat që e prisnim. Por ajo që u pa ishte një lloj bojkotimi, sidomos nga ana e opozitës të cilët duket se nuk pranuan lojën me të pavarur dhe të varur.
Pjesëmarrja në to duket që është shumë e vogël, ndërkohë duket që janë angazhuar vetëm ata që janë në marrëdhënie pune, janë në njohje me bashkinë.
8 ditë ka qenë fushata, askush si ka njohur, nuk patën kohë të tregonin projektet. E gjithë politika duket se nuk i mori seriozisht”, deklaroi Baçi.
Ky i fundit e cilësoi një paradoks faktin se, më shumë u fol për Tiranën ku nuk u zhvilluan zgjedhje, se për ato bashki të cilat shkuan në zgjedhje.
“Në mënyrë paradoksale më shumë u fol për Tiranën që nuk u bënë zgjedhje, sesa në 5 qytetet që u bënë zgjedhje. Ky është paradoks i madh. Ka qenë 22% në 2019 ndërsa tani janë 19%. Tregon mungesë interesi dhe dekurajim të qytetarëve për të marrë pjesë.
Duhen parë arsyet pse ky lloj bojkoti dhe mungese interesimi. Janë dhe zgjedhje të pjesshme dhe përgjithësisht këto zgjedhje janë fituar nga mazhoranca.
Ajo që duhet parë është mungesa e prezantimi të tyre duke nënvlerësuar këto qytete. Duhet gjetur një mënyrë si qytetarët të bëhen të përgjegjshëm që të shkojnë të drejtojnë për drejtuesit e tyre lokalë”, shtoi Baçi.
Lidhur me analizën e paralajmëruar nga opozita në lidhje me zgjedhjet e 11 majit dhe pyetur nëse në to do përfshihen edhe zgjedhjet e pjesshme vendore, Baçi theksoi se “ajo që do lexohet është që dështoi ideja që të dalësh me kandidatë të pavarur, të varur. Duhet parë me vëmendje dhe kjo strategjik që doli jo efikase, nuk i shërbeu opozitës”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




