Zgjedhjet/ Celibashi: Numërimi i votave përmes AI në Tepelenë, 100% efikas. Shqyrtojmë përdorimin e saj në zgjedhjet e ardhshme
Për të parën herë u testua Inteligjenca Artificiale për numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit në zgjedhjet e pjesshme vendore në Bashkinë e Tepelenës.
Ky proces, sipas kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi rezultoi plotësisht efikas, ndërsa deklaroi se do të shqyrtohet përdorimi i AI në zgjedhjet e ardhshme.
“Sikurse e kemi bërë me dije dje dhe më parë, në Bashkinë Tepelenë ne testuam përdorimin e inteligjencës artificiale me numërimin e vlerësimin e votave. Kjo mënyrë asesi s’kishte për qëllim zëvendësimin e mënyrës manuale e përcaktuar nga kodi zgjedhor dhe mbetet ajo ligjorja. Ishte test teknik përmes së cilit ne si KQZ dëshironim të shihnim sa e dobishme mund të jetë në të ardhmen në lidhje me saktësinë e numërimit e vlerësimit të fletëve të votimit, transparencën e procesit, efikasitetin kohor, kostot dhe integritetin e këtij procesi.
Më së paku, përdorimin e AI e kemi parë si mjet të përshtatshëm për kontrollin e profesionalizmit dhe ndershmërisë profesionale të numëruesve dhe komisionerëve zgjedhorë. Testi i kryer dje ishte plotësisht i suksesshëm dhe përmbushi pritshmëritë e KQZ.
Pamjet filmike të përftuara gjatë numërimit dhe vlerësimit me dorë të fletëve të votimit u lexuan dhe analizuan në kohë reale nga programi përkatës kompjuterik i bazuar në AI“, deklaroi Celibashi.
Ky i fundit shtoi se, rezultati i prodhuar nga numërimi dhe vlerësimi i fletëve të votimit nga Inteligjenca Artificiale, rezultoi 100% në përputhje me procesin e numërimit fizik.
“Në përgjithësi leximi dhe analiza e pamjeve prodhoi 100% të njëjtin rezultat me numërimin fizik.
Vlerësojmë që në të ardhmen arritja e saktësisë 100% në numërimin e vlerësimin e fletëve të votimit përmes përdorimit të AI do varet nga ndërtimi i disa protokolleve teknike që do duhet të respektohen nga komisionerë dhe numëruesit gjatë kryerjes së procedurave të numërimit dhe vlerësimit të fletëve të votimit”, tha Celibashi.
Por për këtë, ai theksoi se do nevojiten ndryshime në Kodin Zgjedshor, për ta bërë procesin të ligjshëm.
“Së pari do duhet të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor që rezultatet e prodhuara nëpërmjet përdorimit të kësaj teknologjie të konsiderohen ligjërisht zyrtare”, shtoi ai.
Celibashi theksoi se pjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme në 5 bashki, Mat, Tepelenë, Vlorë, Berat dhe Cërrik ishte 18.45%.
Partia Socialiste shënoi fitore bindëse në zgjedhjet e pjesshme vendore në të pesta bashkitë ku u mbajtën zgjedhjet.
Bashkia e Beratit do të drejtohet nga Ervin Ceca i cili në këto zgjedhje arriti të siguronte 13,050 vota, që përbëjnë 83.35% të totalit, duke lënë pas me diferencë të thellë kandidatin e mbështetur nga Partia Demokratike, Pavlo Shkarpa, i cili siguroi 2,607 vota ose 16.65%.
Garën për drejtimin e Bashkisë së Tepelenës e fitoi kandidati i Partisë Socialiste, Gramoz Sako, i cili arriti të merrte 77.85% të votave, përballë kandidatit të pavarur të mbështetur nga Partia Demokratike, Gabriel Guma, që mori 22.15%.
Bashkia e Cërrikut për një mandat rreth 1 vit e gjysmë do të drejtohet nga Florenc Doka i cili në këto zgjedhje mundi të siguronte fitoren e thellë me 6,201 vota, që përbëjnë 66.22% të totalit, ndërsa “kundërshtari i tij” në këtë garë Amarildo Hoxha, kandidat i pavarur i mbështetur nga Partia Demokratike, mori 1,888 vota ose 20.16%.
Në krye të garës për Bashkinë e Vlorës u pozicionua Brunilda Mersini e cila shënoi një moment historik si gruaja e parë që merr drejtimin e këtij qyteti. Ajo siguroi 15,573 vota, që përfaqësojnë rreth 78% të totalit, duke e bërë rezultatin të pakontestueshëm.
Dy kandidatët e tjerë në garë, Dionis Sota (i pavarur, i mbështetur nga Partia Demokratike) dhe Gjergji Nika (i pavarur), morën përkatësisht 233 vota (11.6%) dhe 1,975 vota (9.8%).
Ndërsa Bashkia e Matit, e fundit që mbylli numërimin e votave, do të drejtohet gjithashtu nga socialisti Altin Bojni. Ky i fundit shënoi fitore me difencë të thellë ndaj dy kandidatëve të pavarur, Eduart Brahilika kandidat i mbështetur nga opozita dhe Suzana Pasha, kandidatja e pavarur, ish-drejtuese e Forumit të Gruas Socialiste në këtë bashki.
Bojni siguroi 7425 vota ose 66.54 % të totalit, kandidati i mbështetur nga opozita ka siguruar 3318 vota ose 28.54 %, ndërsa ish-drejtuesja e Forumit të Gruas Socialiste në Bashkinë Mat ka marrë vetëm 547 vota në këtë bashki ose 4.92 %.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




