Vijon ndërprerja e energjisë në Ukrainë – Rusia shton sulmet ndaj infrastrukturës energjetike

Botë | 12 muaj më parë

Ndërprerjet e planifikuara të energjisë elektrike, të zbatuara nga operatori shtetëror i rrjetit të transmetimit të energjisë Ukrenergo vijojnë edhe këtë të hënë në shumicën e rajoneve të Ukrainës.

Furnizimi me energji u ndërpre nga e diela pasi Rusia lëshoi qindra dronë ndaj objekteve energjetike në të gjithë vendin. Autoritetet ukrainase e cilësuan situatën si një ndër më të rëndat që kur Rusia nisi pushtimin e vendit në shkurt të vitit 2022.

Rajoni i Kharkivit u prek më së shumti nga sulmet ruse, ku rreth 100 mijë persona mbetën pa energji elektrike, ujë dhe ngrohje. Probleme u krijuan edhe në Kiev, Symi dhe Poltavën qendrore. Presidenti Zelenski  tha se Moska ka intensifikuar goditjet ndaj infrastrukturës civile dhe sipas tij ka shtuar edhe përdorimin e raketave balistike.

“Kjo do të thotë se Ukrainës i duhet më shumë mbrojtje ajrore”- u shpreh ai.  Rusia ka shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës energjetike të shtetit fqinj, por Moska akuzoi  Kevin se sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës së saj energjetike lanë më shumë se 20 mijë persona pa energji elektrike në disa rajone kufitare mes dy vendeve.

Autoritetet ruse thanë se rrjeti i furnizimit me energji elektrike dhe ngrohje ka pësuar dëme të rënda në Belgorod. Sipas tyre nga sulmet me dronë në dy termocentrale në rajonet e Kurskut dhe Voronezhit shpërthyen zjarre.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme