Koalicioni Shqiptar pro Jetës dorëzon në Presidencë kërkesën për mosdekretimin e ligjit “Për Barazinë Gjinore”
Koalicioni Shqiptar pro Jetës ka dorëzuar në Presidencë kërkesën për mosdekretimin e ligjit “Për Barazinë Gjinore” të miratuar në Kuvend pesë ditë më parë me 77 vota pro dhe 36 kundër.
Për Koalicionin Shqiptar pro Jetës, ky ligj është antishqiptar dhe antifamilje dhe sipas tyre, dehumanizon shqiptarët dhe tenton të indoktrinojë fëmijët shqiptarë nëpërmjet ideologjisë gjinore në shkolla.
“Ligji për Barazinë Gjinore, është antiliri, ligji që fatkeqësisht kaloi me 77 vota në parlament. Presidenti është hallka e fundit që institucionalisht ka të drejtë të mos dekretojë këtë ligj.
Pra, sjellim para tryezës presidenciale një kauz :kauzën e familjes, të Shqipërisë. President mos dekreto ligjin antifamilje, antiliri, antizot, ligjin për censurën, dehumanizimin e shqiptarëve, që do indoktrinojë fëmijët shqiptarë nëpërmjet ideologjisë gjinore në shkolla“, deklaruan përfaqësues të koalicionit.
Projektligji është pjesë e detyrimeve që Shqipëria ka ndaj Bashkimit Evropian dhe synon të përmirësojë kuadrin ligjor të vitit 2008, duke garantuar të drejta të barabarta për gratë dhe burrat në të gjitha fushat e jetës.
Sipas dokumentacionit shoqërues, ligji i ri është harmonizuar me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e Komisionit Evropian, i cili ka kërkuar miratimin e tij brenda vitit 2025 si pjesë e piketave për hapjen e kapitujve themelorë të negociatave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




