Përjashtimi i Berishës nga Kuvendi, Bardhi: Akt i paprecedentë

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar pas vendimit për përjashtimin e Kryetarit të Opozitës, Sali Berisha, nga punimet e Kuvendit për 10 ditë, duke e cilësuar këtë një akt të paprecedent dhe të paligjshëm.
Në një deklaratë për mediat, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se ky është “një regres i madh në funksionimin normal të Kuvendit të Shqipërisë” dhe “një shkelje flagrante e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit”.
“Mazhoranca socialiste po provon çdo ditë me aktet dhe veprimet e saj se Kuvendi i Shqipërisë është shndërruar në një organ njëpartiak, ku rregulli dhe ligji shkelen hapur”, thuhet në reagim.
Sipas Bardhit, vendimi për përjashtimin e Berishës është marrë pa bazë ligjore dhe përbën “një akt politik të diktuar nga interesat personale të kryeministrit Edi Rama”.
“Kjo është hera e parë në historinë e pluralizmit në vend që një deputet, pa kryer asnjë shkelje të Rregullores, pengohet të ushtrojë funksionin e tij, vetëm sepse ka shprehur mendimin e tij jashtë sallës së Kuvendit mbi një projektligj të kundërshtuar nga pjesa dërrmuese e shoqërisë shqiptare”, theksoi Bardhi.
Grupi Parlamentar i PD-së e konsideron vendimin “arbitrar, të papranueshëm dhe një dhunim të të drejtave të opozitës”, duke paralajmëruar se opozita do të reagojë në mënyrë proporcionale për t’i kthyer Kuvendit normalitetin demokratik.
“Akte të tilla që synojnë censurën do të dështojnë. Përjashtimi i deputetëve për shkak të fjalës së lirë është kthyer në praktikë të një mazhorance pa legjitimitet. Deputetët e opozitës as nuk e pranojnë dhe as nuk do ta lejojnë këtë degradim”, përfundon reagimi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




