“Dhuratë për ikjen e babait, komunikoj përditë me të”, Epidamn Zeqo ringjall legjendën e Durrësit

Kulturë | 12 muaj më parë

Shkrimtari Epidamn Zeqo prezantohet përpara lexuesit me botimin e ri “Dinastia e mbretit Epidamn – Legjenda e Durrësit”.

Ky libër është një trillim historik që rreket të sjellë historinë e qytetit të tij të lindjes përmes vargjeve të rimuara dhe 60 ilustrimeve.

“Durrësi, qyteti nga vijmë unë dhe Moikomi, është një nga më të vjetrat në botë. Ka një legjendë themelimi shumë të hershme, 200 vite pas Krishtit, që tregon për themelimet më të hershme të qytetit Epidamn në kodër dhe qytetit të Durrësit në port”, shpjegon shkrimtari.

Në një intervistë për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut, Zeqo tregon që gjithçka nisi nga libri i shkruar nga babai i tij, arkeologu, shkrimtari dhe studiuesi Moikom Zeqo.

“Në vitin 1989, dy vite pasi linda unë, babai mbaroi ‘Legjendën e Epidamnit’, që merr legjendën origjinale të Durrësit dhe e kthen në një vjershë me rimë dhe me ilustrime shumë të bukura. Duke lexuar këtë libër dhe me gjithë kërkimin që kam bërë mbi këtë temë, mendova ta përditësoj duke e përmirësuar”.

Libri ka të trija versionet e legjendës: versionin e Epidamnit, atë të babait të tij dhe versionin origjinal i legjendës. Shkrimtari shprehet se ky libër është një dhuratë për babanë dhe vendin e tij.

“Është një dhuratë që unë kam për 5-vjetorin e ikjes së Moikomit, një dhuratë për Durrësin, për Shqipërinë. Ne kemi një histori shumë të pasur. Naim Frashëri e quante Durrësin kërthizën e kombit shqiptar”.

Autori e konsideron shkrimin e këtij libri si një terapi.

“Vdekjen e Moikomit e kam vuajtur shumë. Duke lexuar librat e tij sikur komunikoj me të, është një komunikim i përditshëm. Është terapi, siç me mungon ndjej që është dhe i pranishëm. Do doja që vajza dhe djali im pas 30 vitesh të kenë të njëjtën marrëdhënie me librin siç kam unë me librat e Moikomit.”

I pyetur se çfarë do të kishte menduar babai i tij për këtë libër, Epidamni thotë me siguri se do i kishte pëlqyer por nuk përjashton mundësinë e një kritike.

“Moikomi ka shkruar në periudhën e komunizmit ku nuk përmendej Poseidoni ose Herakliu sepse atëherë kishte një lloj ndrojtje për të përmendur perënditë greke. Nga kërkimet e mia dalin që këto janë perëndi shumë më të hershme se sa perëndi helene. Për shembull, Poseidoni, nuk e them unë por historiani i famshëm Herodoti, rezulton që vjen nga Libia për t’u bërë bashkëthemelues i Durrësit.”

Janë dashur pesë vite punë hulumtuese nga 27 autorë antikë por edhe nga shkrime të babai të tij, nënës Lida Miraj dhe gjyshit të tij Fabian Miraj, të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar për qytetin e Durrësit.

“Unë krijoj personazhe, u jap një emër dhe një rol. Është shumë mirë i dokumentaur me kërkime dhe citime. Është një libër për fëmijë të rritur dhe pleq të rinj me 60 ilustrime. Është sa një libër për fëmijë po aq dhe akademik. Është një trillim historik sepse të vërtetat historike të antikitetit asnjëherë nuk janë të sakta dhe më lejon të bëj disa kapërcime”.

Midis fakteve të gjetura, autori veçon gjetjen e formës më të hershme të emrit Epidamn.

“Ep është prefiks që do të thotë ‘mbi’, ndërsa Daminu do të thotë ‘Toka e mbretit’. Qyteti origjinal i Epidamnit në Kohën e Bronzit, para luftës së Trojës, për mendimin tim është diku në kodrat e Durrësit, saktësisht në malin verior”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme