Sulmet në Karaibe, Mbretëria e Bashkuar pezullon ndarjen e inteligjencës me SHBA-në

Botë | 12 muaj më parë

Mbretëria e Bashkuar ka pezulluar ndarjen e informacionit të inteligjencës me Shtetet e Bashkuara në lidhje me anijet e dyshuara për trafik droge në Karaibe, pasi nuk dëshiron të jetë bashkëpunëtore në sulmet ushtarake amerikane që Londra i konsideron të paligjshme. Sipas CNN, vendimi përbën një çarje të pazakontë mes dy aleatëve të ngushtë dhe partnerëve tradicionalë të ndarjes së inteligjencës, duke reflektuar shqetësimin në rritje të Londrës mbi ligjshmërinë e fushatës ushtarake amerikane në Amerikën Latine.

Për vite me radhë, Mbretëria e Bashkuar, e cila zotëron disa territore në Karaibe ku operojnë bazat e saj të inteligjencës, ka ndihmuar SHBA-në në identifikimin e anijeve të dyshuara për trafik droge, që më pas ndaloheshin nga Roja Bregdetare amerikane. Operacionet zakonisht çonin në arrestimin e ekuipazhit dhe sekuestrimin e ngarkesës së paligjshme.

Inteligjenca britanike transmetohej zakonisht tek Task Forca e Përbashkët Ndëragjenciale Jug (JIATF-South), një njësi e bazuar në Florida që përfshin përfaqësues nga disa vende partnere dhe që merret me reduktimin e tregtisë së paligjshme të drogës.

Por pas fillimit të sulmeve vdekjeprurëse amerikane ndaj anijeve në shtator, që kanë rezultuar me vrasjen e 76 personave, Londra u shqetësua se informacioni i saj mund të përdorej për të përzgjedhur objektivat e këtyre sulmeve. Zyrtarët britanikë besojnë se veprimet amerikane shkelin ligjin ndërkombëtar.

Pauza në ndarjen e inteligjencës është në fuqi prej më shumë se një muaji.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme