Buxheti 2026, 15 miliardë lekë për drejtësinë, prioritet rikonstruksioni i burgjeve, KQZ dhe KPA kërkojnë fonde shtesë

Politikë | 12 muaj më parë

Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, nën drejtimin e Ulsi Manja, ka nisur shqyrtimin e projektligjit të Buxhetit të vitit 2026, duke zhvilluar dëgjesa me Ministrinë e Drejtësisë dhe katër institucione të pavarura, në prani të zëvendësministrit të Financave, Endrit Yzeiraj.

Fokusi i diskutimeve ishte mbi parashikimet buxhetore dhe kërkesat për mbështetje financiare.

Prioritetet e ministrisë së Drejtësisë

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, prezantoi planin e shpenzimeve për vitin 2026, duke bërë me dije se për Ministrinë janë parashikuar 14.96 miliardë lekë.

Lamallari theksoi se prioritetet kryesore lidhen me sistemin e burgjeve, me synimin për të arritur standarde më të mira ndërkombëtare.

“Kemi disa projekte të reja me rikonstruksion dhe ngritje të godinave të reja për burgjet… Fokus ka qenë dhe rehabilitimi dhe riintegrimi, kthimi dhe kompensimi i pronave, përmbarimi gjyqësor, ndihma juridike falas, si dhe mjekësia ligjore,” shpjegoi Lamallari.

Ai veçoi investimin për ndërtimin e godinës së re të Institutit të të Miturve në Konflikt me Ligjin.

Kërkesat dhe nevojat e institucioneve të pavarura

Dëgjesa e radhës vijoi me Vladimir Mara, Prokuror i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i cili bëri një përmbledhje të shkallës së realizimit të buxhetit 2025. Ai detajoi përdorimin e fondeve të planifikuara për vitin 2026, sqaroi se kërkesat për shtesa buxhetore për përmbushjen e nevojave institucionale janë miratuar nga Ministria e Financave, si dhe paraqitën disa nevoja për rakordime në zërin e pagave dhe shpenzimeve.

Mbledhja vijoi me dëgjesën me përfaqësuesit e KQZ. Jona Josifi, Sekretare e Përgjithshme e komanduar në KQZ, bëri një prezantim të shkallës së realizimit të buxhetit për vitin 2025 dhe paraqiti disa kërkesa për shtesë mbi tavanet buxhetore për zërin e shpenzimeve kapitale. Josifi nënvizoi se prioritetet kryesore të KQZ-së për vitin 2026 janë: sistemet e teknologjisë së informacionit, ngritja e kapaciteteve infrastrukturore dhe standardizimi i informacionit zgjedhor. Ndër të tjera Josifi sqaroi se nga kërkesat e bëra ka mbetur ende e paadresuar nga Ministria e Financave një shtesë në vlerën e 55 mln lekëve në zërin e investimeve korrente, fonde të cilat do të përdoret për mirëmbajtjen e sistemeve të teknologjisë së informacionit.

Mbledhja vijoi me dëgjesën me Arbër Bashollin, Sekretar i Përgjithshëm i ILDKPKI dhe Mirela Gega, Inspektore pranë ILDKPKI, të cilët bënë një prezantim të shkallës së realizimit të buxhetit dhe investimeve të planifikuara për vitin 2025 dhe buxhetit të planifikuar për vitin e ardhshëm. Basholli sqaroi se kërkesat e institucionit janë marrë parasysh dhe nuk parashtruan kërkesa shtesë. 

Në dëgjesën e fundit, Kryetari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), Sokol Çomo, prezantoi kërkesën për miratimin e një fondi shtesë në buxhet, i cili do të përdoret për pagat e strukturës administrative që do të shërbejë gjatë periudhës tranzitore 6-mujore, pas përfundimit të mandatit kushtetues 9-vjeçar të institucionit. Çomo bëri me dije se kjo strukturë do të menaxhojë mbylljen e institucionit pas qershorit 2026 dhe që projekt-struktura është depozituar tashmë në Kuvend, si dhe theksoi se rialokimi i fondeve nga buxheti do të mund të realizohet vetëm pas miratimit të saj nga Kuvendi.

Hapat e mëtejshëm

Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, njoftoi se diskutimet për rastin e KPA-së do të vazhdojnë me Ministrinë e Financave pasi të shqyrtohet projekt-struktura e propozuar për mbylljen e Kolegjit. Kjo tregon se disa vendime kyçe buxhetore për institucionet e pavarura mbeten ende të hapura.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme