Fregata HMS Richmond në brigjet shqiptare, RTSH në bordin e gjigandit britanik, sjell plane ekskluzive të anijes ushtarake
Anija ushtarake RMS Richmond ka lundruar për herë të parë në ujërat territorialë të Republikës së Shqipërisë. Me gjatësi prej 133 metrash dhe gjerësi 16 metra fregata britanike, ajo u prit nga anija shqiptare “Iliria” për t‘u ankoruar në bregun e Adriatikut në Porto Romano.
Radio Televizioni Shqiptar sjell pamjet ekskluzive nga e para fregatë britanike e këtij klasi që ka mbërritur në Shqipëri. Një tur në bord na njeh nga afër që nga sistemi i armatimeve, pjesë e së cilës është edhe ky helikopter e deri tek fjetina dhe mënyra e jetesës në det që bën i gjithë ekuipazhi me mbi 200 persona në bordin e kësaj anije.
“Është hera e parë e imja këtu në Shqipëri. Është hera e parë që HMS Richmond ka qenë në Shqipëri në 30 vitet e saj të shërbimit. Në këtë dislokim kemi qenë duke mbështetur lirinë e lundrimit në të gjithë botën. Kështu që kemi operuar në Lindjen e Largët, në Detin e Kinës Jugore, nëpër Ngushticën e Tajvanit dhe gjithashtu në Detin e Kinës Lindore. Por kudo që kemi qenë, kemi mbështetur lirinë e lundrimit dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla kudo që shkojmë. Më pëlqen shumë angazhimi i mbrojtjes që po bëjmë në të gjitha vendet e ndryshme ku kemi mundësi të vijmë”, tha Richard Camp, Komandanti i HMS Richmond.
Kjo anije ka mbërritur në vendin tonë në kuadër edhe të 100 vjetorit të krijimit të forcave detare.
“Jam shumë i kënaqur që jam këtu në bordin e HMS Richmond sot, dhe jam i kënaqur që anija ndodhet në Porto Romano. Mendoj se kjo është pasqyrim i marrëdhënies vërtet të fortë dypalëshe midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë nga perspektiva e mbrojtjes. Kjo është një marrëdhënie dypalëshe që shkon prapa me shekuj. Ne qëndruam krah për krah si aleatë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe qëndrojmë sërish si aleatë. Vizita e anijes është kulmi i një periudhe aktiviteti vërtet intensive midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. 50 studentë do të vizitojnë Shqipërinë, sërish një tregues tjetër i asaj sa e fortë është marrëdhënia dypalëshe midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë”, tha Nën Kolonel David Strong-Atashé i mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.
Kapiten lejtnant, Lorenc Demiri thekson rëndësinë e ardhjes së gjigandit britanik.
“Me këtë klas anijesh, unë kam dhe lidhje të veçanta pasi gjatë studimeve në Kolegjin e Luftës në Britani, praktikën, pra vlerësimin tim si oficer karriere e kam bërë në anijen HMS Richmond, anija e parë fregat ndonjëherë në Shqipëri që është ankoruar në portet shqiptare”, tha Demiri.
Për Shqipërinë, vizita e HMS Richmond shënon një moment të rëndësishëm simbolik dhe strategjik, në një kohë kur vendi është bërë një nyje logjistike e rëndësishme për operacionet detare të NATO-s në Adriatik dhe Mesdheun Lindor.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




