“Corriere Della Sera” & “ANSA”, jehonë takimit Rama- Meloni, Samitit Ndërqeveritar dhe firmosjes së 15 marrëveshjeve të partneritetit strategjik

Politikë | 12 muaj më parë

Mbledhja e parë Ndërqeveritare Itali-Shqipëri, në të cilën u firmosën 15 marrëveshje, ishte një ngjarje me rëndësi të lartë mediatike në Itali. Gazetat kryesore, si Corriere Della Sera dhe ANSA, i kushtuan hapësirë të veçantë Samitit, duke theksuar deklaratat e Kryeministres Giorgia Meloni mbi Protokollin e Migrantëve dhe dëshirën e Kryeministrit Edi Rama për anëtarësimin në BE.

“Të vendosur përpara”, Meloni mbron protokollin

Të dyja mediat italiane vunë theksin te vendosmëria e Kryeministres Meloni për të ecur përpara me Protokollin Itali-Shqipëri për Migrantët, pavarësisht vonesave dhe “punës për ta bllokuar” atë.

ANSA citoi Melonin: “Shumë po e vonojnë Protokollin me Shqipërinë, por ai po ecën përpara,” duke theksuar se mekanizmi ka potencialin të “ndryshojë paradigmën e menaxhimit të imigracionit.”

Corriere Della Sera e quajti këtë qëndrim “mantra” e Melonit, e cila hodhi poshtë kritikat dhe sulmet. Meloni u shpreh se kur të hyjë në fuqi Pakti i ri i BE-së për Migracionin, qendrat në Shqipëri “do të funksionojnë ashtu siç ishin menduar që nga fillimi.”

Meloni i tha Ramës se edhe vende të tjera evropiane po përpiqen t’i bashkohen kësaj iniciative, duke dëshmuar vlefshmërinë e modelit të bashkëpunimit.

Kërkesa strategjike e Ramës për BE-në

Mediat italiane nënvizuan edhe theksin e vendosur nga Kryeministri Rama mbi integrimin evropian të Shqipërisë, veçanërisht dëshirën për të filluar negociatat politike.

Kryeministri Rama shprehu shpresën se do të ishte “një burim kënaqësie e madhe” nëse Shqipëria do të ishte në gjendje të niste negociatat politike pikërisht gjatë Presidencës Italiane të radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian, e cila do të zhvillohet në gjashtë muajt e parë të vitit 2028. Kjo vjen ndërkohë që brenda pak ditësh pritet të hapet kapitulli i fundit i negociatave për anëtarësim.

Partneriteti “historik” dhe ekonomia

Samiti u cilësua si një “ditë historike” për marrëdhëniet dypalëshe, jo vetëm për formatin e parë qeveritar, por edhe për 15 marrëveshjet teknike dhe qeveritare të nënshkruara, duke e bërë marrëdhënien më sistematike.

Meloni konfirmoi se Italia është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, me 3,000 kompani italiane që operojnë atje, dhe theksoi rolin strategjik të dy vendeve si qendra për lidhjen e energjisë dhe infrastrukturës së Evropës, sidomos në lidhje me Korridorin Evropian VIII.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme