“3D” në RTSH, juristi Alibali: Berisha e di që do të shkojë në SPAK, refuzimi i fletëthirrjes është një konflikt i pavlerë

Politikë | 12 muaj më parë

Debati mbi refuzimin e ish-Kryeministrit Sali Berisha për të marrë fletëthirrjen nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) ishte tema qendrore e emisionit “3D” në RTSH, të moderuar nga Alban Dudushi. Juristi Neritan Alibali shpjegoi implikimet ligjore të kësaj situate, duke e quajtur atë një “punë kalamajsh”.

Alibali u shpreh se pavarësisht deklaratave të Berishës se nuk ka marrë njoftim për të dëshmuar si person në dijeni për ngjarjet e 21 Janarit 2011, ish-Kryeministri e di shumë mirë se do të duhet të paraqitet në SPAK.

“Ligji i jep mundësi SPAK për shumë forma, deri dhe ta sjellë atë me forcë për të dëshmuar. Është tamam një punë kalamajsh. Ata e çojnë, këta nuk e pranojnë. Konflikt kot,” theksoi Alibali.

Juristi theksoi se refuzimi i fletëthirrjes është një konflikt i pavlerë nga pikëpamja juridike dhe nuk do të shërbejë për të shmangur dëshminë.

“Do t’i bëjnë një kërkesë tjetër dhe më pas do e marrin me forcë. Kështu e morën dhe herën tjetër. Ai do të dëshmojë për 21 janarin. Ai nuk e shmang dot këtë,” përfundoi analiza e tij, duke konfirmuar se SPAK ka të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për të siguruar paraqitjen e tij.

Hetimi për 21 Janarin është rihapur pas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme