Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK/ Avokati: Verdikti në fillim të 2026, pas qëndrojnë autoritetet serbe

Kosovë | 12 muaj më parë

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së mbajti dje protestën e radhës në Strasburg në kërkim të drejtësisë për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Avokati Ardian Bajraktari, në një lidhje direkte nga Kosova me emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut, u shpreh se këto protesta shprehin indinjatën ndaj një procesi të padrejtë dhe të stërzgjatur.

“Opinioni publik është jashtëzakonisht i vetëdijshëm që ky proces është i padrejtë dhe se aty po gjykohet lufta e UÇK-së, krerët e saj dhe asesi në mënyrë individuale siç ka disa zëra”.

Bajraktari vlerëson se këto protesta kanë dhe një mesazh për vendet financuese të Gjykatës së Hagës.

“I qartësohet opinionit ndërkombëtar me theks të veçantë vendeve financuese të gjykatës, siç janë vendet e Bashkimit Evropian dhe përtej tyre, se paratë e taksapaguesve të tyre po shkojnë në një gjykatë e cila është duke bërë padrejtësi”.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, figura qwndrore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndodhen prej 5 vitesh të arrestuar në Gjykatën Speciale në Hagë, ndërsa procesi ndaj tyre nisi vetëm në vitin 2023.

“Kemi 5 vite që ish-krerët e UÇK-së mbahen në masën e paraburgimit ndërkohë që për mbajtjen e tyre nuk ka kushte ligjore”.

Sipas avokatit, zgjatja në kohë e procesit gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, ka ardhur prej papërgatitjes së Prokurorisë në raport me parametrat ndërkombëtare.

“Dëshmitarët kanë qenë jokredibilë, që në pjesën dërrmuese kanë thënë gjëra jorelevante për procedurën. Prej shtatorit e këndej, kur kemi parë dëshmitarët e mbrojtjes, kanë qenë të besueshëm e dinjitozë. Dëshmitë në shumicën e rasteve janë shoqëruar edhe me dokumente të tjera, kabllograme apo raporte të ndryshme të Depratamentit të Shtetit që kanë kontribuar të së vërtetës. Kanë kaluar më shumë 25 vite dhe deklasifikimi i dokumenteve nga ana e SHBA i ka kontribuar jo vetëm palës mbrojtes por mbi të gjitha të vërtetës. Katër ish-krerët e UÇK-së akuzohen për përgjegjësi komanduese e cila në rrethana të rastit konkret nuk ka ekzistuar. Ndaj e bën këtë rast ‘sui generis’, të paprecedent”.  

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së bëri të ditur se ka dorëzuar 285 letra në emër të secilit anëtar të Asamblesë së Këshillit të Evropës, me shqetësimet e tyre lidhur me procesin në Gjykatën Speciale.

“Po bëjnë punën që duhet ta bënin institucionet të cilat në raport me këtë proces kanë qenë jashtëzakonisht indiferente. Në jo pak raste ka pasur mungesë të theksuar të fondeve që shpërfaq mungesë të vullnetit politik për ta trajtuar në mënyrë të duhur këtë çështje. Sigurimi i mbrojtjes ligjore është obligim ligjor mirëpo sigurimi i një mbrojtje sa më kualitative është obligim kombëtar për faktin se këta persona nuk ballafaqohen me akuza personale. Ndaj politika kosovare ka dështuar të kryejë detyrën e saj në raport me këtë proces tepër të ndjeshëm dhe të rëndësishëm për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen”.

I pyetur se kush qëndron pas zvarritjes së procesit gjyqësor dhe kujt i intereson kjo situatë, avokati shprehet: “Njoftimi për arrestimin e z.Thaçi u ngrit kur ishte në rrugëtim e sipër për në SHBA, fakti që një pjesë jo e vogël të dokumenteve dhe të provave janë marrë nga ana e shtetit serb që ka ushtruar gjenocide dhe dhunë në Kosovë dhe Bosnjë, në bindjen time ngjall dyshime të bazuara se prapa këtij procesi qëndrojnë autoritet serbe, mbase dhe jo vetëm”.

Avokati shprehet besimplotë se procesi do të jetë triumfues për ish-krerët e UÇK-së.

“Jam i prirur të besoj që fundi i këtij procesi do të jetë triumfues, rikonfirmues dhe lirues për ish-krerët e UÇK-së. Edhe në proceset e z.Haradinaj dhe z.Limaj që janë zhvilluar në Kosovë nga ndërkombëtarët është konfirmuar qartazi mosekzistimi i strukturës, hierarkisë, zinxhirit komandues dhe i pamundësisë së ushtrimit të kontrollit efektiv. Besoj që do merren parasysh nga ana e trupit gjykues dhe fundi i këtij procesi është duke ardhur. Do të jetë rikonfirmues i pastërtisë së luftës dhe lirues për ish-krerët. Me shumë gjasë verdikitin do të mund ta kemi në pjesën e parë të vitit të ardhshëm”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme