Shpërthim në hekurudhën që lidhet me Ukrainën, Kryeministri polak Tusk e cilëson si akt sabotazhi
Akt të paprecedent sabotazhi që shenjëstroi sigurinë e shtetit dhe qytetarëve të Polonisë e cilësoi kryeministri polak Donald Tusk shpërthimin që ndodhi mëngjesin e së dielës në shinat e linjës hekurudhore mes qyteteve të Varshavës dhe Lublinit, e cila lidhet me një linjë që është në shërbim të Ukrainës.
Sipas Tusk, incidenti synim kishte të hidhte në erë një tren që do të kalonte atje, por fatmirësisht nuk pati viktima në njerëz. Për ngjarjen ka nisur një hetim që po ndërmerret nga policia dhe shërbimet speciale.
“Do t’i kapim agresorët pavarësisht se kush është financuesi i tyre”, theksoi Tusk. Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të tre viteve më parë, Polonia, vend anëtar i NATO dhe BES, ka pretenduar se ka qenë shënjestër e akteve sabotazhit sipas saj të orkestruara nga Rusia.
Pavarësisht se kjo e fundit ka mohuar të ketë pasur lidhje me incidentet, Polonia ka arrestuar deri tani 55 persona për ndërmarrje të aktiviteteve të paligjshme në interes të Rusisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




