Komisioni i Ligjeve miraton 4 projektligje, forcohet roli i Kuvendit në negociatat me BE-në, njihet vullnetarizmi si përvojë pune

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, i drejtuar nga Ulsi Manja, zhvilloi dy mbledhje ku shqyrtuan pesë projektligje, duke miratuar katër prej tyre në tërësi dhe një në parim. Fokus i punës së Komisionit ishin nismat që forcojnë rolit e Kuvendit në procesin e integrimit evropian dhe rregullojnë fusha të rëndësishme si vullnetarizmi dhe komisionet hetimore.
Zgjerimi i rolit të Kuvendit në integrimin Evropian
Komisioni miratoi në parim dhe në tërësi projektligjin e propozuar nga deputetët Taulant Balla dhe Bora Muzhaqi, i cili synon forcimin e rolit të Kuvendit në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Muzhaqi theksoi se ndryshimet vendosin afate më të shpejta në shqyrtimin e dokumenteve dhe pozicioneve negociuese, nxisin bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe parashikojnë bashkëdrejtimin e Komisionit Kombëtar për Integrimin Evropian (KKIE) me përfaqësues të opozitës.
Vullnetarizmi njihet si përvojë pune
Një tjetër projektligj i rëndësishëm i miratuar në tërësi ishte ai “Për Vullnetarizmin”. I prezantuar nga Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, projektligji synon të përmirësojë kuadrin ligjor për organizimin dhe raportimin e vullnetarizmit.
Ndër risitë kryesore të aktit janë njohja e vullnetarizmit si përvojë pune për efekt të procedurave të rekrutimit; kompensimi nga shteti i kontributit të paguar për sigurimin e vullnetarit ndaj aksidenteve; krijimi i programeve të dedikuara për promovimin dhe financimin e veprimtarive vullnetare.
Rregullimi i komisioneve hetimore dhe Avokatit të Popullit
Komisioni miratoi parimisht projektligjin e deputetëve Taulant Balla dhe Aulona Bylykbashi për ndryshimet në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”. Bylykbashi sqaroi se nisma reflekton drejtpërdrejt kërkesat e Gjykatës Kushtetuese (Vendimi nr. 54/2024) dhe synon saktësimin e kuadrit ligjor dhe përmirësimin e veprimtarisë parlamentare. Ky projektligj do të shqyrtohet nen për nen në mbledhjen e radhës.
Gjithashtu u miratua projektligji i deputetes Iris Luarasi për “Avokatin e Popullit”, i cili përcakton rregulla strikte mbi procesin e publikimit të raporteve vjetore dhe shqyrtimin e tyre nga Kuvendi, duke synuar forcimin e llogaridhënies dhe transparencës së institucionit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




