“Vera e fundit e paqes në Evropë”/ Gazetarja Hoxha: Ja ç’fshihet pas deklaratës së Gjermanisë

Aktualitet | 12 muaj më parë

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, paralajmëroi se Rusia mund të rifitojë forcën e mjaftueshme ushtarake për të synuar një shtet anëtar të NATO-s para vitit 2029, duke vënë në dukje se disa ekspertë sugjerojnë se kjo gjë mund të ndodhë edhe më herët.

Duke folur për Frankfurter Allgemeine Zeitung, ai tha se vera e kaluar mund të ketë qenë e fundit “e qetë” në Evropë.

Gazetarja Nidela Hoxha, në një lidhje direkte nga Gjermania për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut, shprehet se këto deklarata kanë baza.

“Nga njëra anë duhet të merret si komunikim strategjik, por nga ana tjetër e thënë nga vetë Boris Pistorius, deklaratat nuk janë thjesht pragmatike por janë mbështetur nga inteligjenca ushtarake dhe nga ekspertët ushtarakë.”

Sipas gazetares, Pistorius ka paralajmëruar se Rusia po rindërton kapacitetet ushtarake dhe ekspertët thonë se deri në vitin 2029-2030 mund të jetë në gjendje të sulmojë territoret lindore të NATO-s, që janë në kufi me Rusinë.

“Ai thotë se prodhimi ushtarak i Rusisë është shumë i madh dhe sipas tij Rusia prodhon armë dhe municion brenda disa muajve sa të gjitha shtetet e BE-së në një vit”.

Ajo shton se ministri gjerman i Mbrojtjes nuk paralajmëron vetëm për sulm të drejtpërdrejtë ushtarak, por edhe për luftë hibride.

“Pistorius thekson edhe rrezikun e luftës hibride siç janë sulmet ndaj infrastrukturës, energjisë, kërcënimeve kibernetike, shkeljes së hapësirës ajore që javët e fundit ka qenë jashtëzakonisht e pranishme ne territorin gjerman, fushatave të dezinformimit në rrjetet sociale dhe ndërhyrjeve në zgjedhje”.

Gjermania ka ndërmarrë masa politike, institucionale, siguri publike, debat mediatik dhe strategji ushtarake, pjesë e projektit të përballimit të konflikteve të mundshme.

“Gjermania është duke punuar fort për rritjen ushtarake, është duke forcuar ushtrinë e duke prodhuar armë. Ajo që Pistorius ka thënë që në fillim është që Gjermanisë aktualisht i duhet më së shumti të bëjë shërbimin ushtarak të detyruar. Kështu do fillojë të tregojë fuqinë e saj dhe NATO të rimarrë hegjemoninë e vet. E gjithë kjo përgatitje është një lloj mënyre për t’i thënë Rusisë ‘Ndal sepse të pret një NATO e fortë”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, reagoi duke thënë se komentet e Pistorius vetëm sa konfirmuan “se kush është agresori”, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia do të “merrte masa për sigurinë e saj”.

“Kjo tregon vërtetë tensionin dhe vëmendjen e madhe që çdo gjë që thuhet analizohet nga pala tjetër. Kjo është e rrezikshme e lexuar në politikën ndërkombëtare. Nuk jemi në momentin më të mirë. Janë trazuar shumë balanca”.

E pyetur se si janë pritur këto deklarata mes qytetarëve, gazetarja shpjegon:

“Ka nga ata që e shohin si paralajmërim, disa të tjerë e shohin si një rritje të autoritetit të Gjermanisë dhe kjo u jep siguri. Ka grupime që janë kundër dhe e shohin si rrezik duke marrë parasysh historikun e Gjermanisë në Luftës e Dytë Botërore. Disa të tjerë e shohin si provokim që i bëhet Rusisë, acarim i politikave ndërkombëtare. Gjermanët janë njerëz që e duan sigurinë, duan të jenë dhjetë hapa përpara”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme