“Trialog” në RTSH- Pjesëmarrja në protestën e PD-së përpara kryeministrisë, debat mes analistëve Zogaj dhe Sulo

Pjesëmarrja e qytetarëve në protestën e fundit të opozitës u bë objekt debati mes analistëve Arion Sulo dhe Preç Zogaj në emisionin “Trialog” në RTSH. Dy analistët shfaqën këndvështrime diametralisht të kundërta mbi arsyet e mungesës së mobilizimit.
Argumenti i Zogajt: Humbje besimi
Sipas analistit Preç Zogaj, fakti që njerëzit nuk dolën në protestë është tregues i qartë se Partia Demokratike ka dështuar të ndryshojë strategjinë e saj.
“PD ka 12 vjet që bën të njëjtën gjë,” tha Zogaj, duke shtuar: “Si mund të vijnë njerëzit kur PD e quan SPAK organizatë kriminale? Ka që në 2013 që bën të njëjtën gjë.”
Ai pranoi se çështja e Zëvendëskryeministres Belinda Balluku është në hetim dhe “ka marrë rrugën e drejtësisë,” por theksoi se kjo nuk mjafton për të mobilizuar.
Kundërshtia e Sulos: Dyshime mbi hetimin
Analisti Arion Sulo e hodhi poshtë argumentin e Zogajt për mungesë kapaciteti mobilizues, duke argumentuar se PD ka dëshmuar se mund të mbledhë deri në 30 mijë njerëz në shesh.
Sulo e zhvendosi fokusin te dyshimet mbi hetimin e SPAK ndaj zonjës Balluku.
“Protesta ishte për Ballukun, afera e saj që po hetohet nga SPAK. Unë mendoj se SPAK, në një farë mënyre, po e mbron Ballukun,” deklaroi Sulo.
Ai argumentoi se janë prekur standardet e hetimit sepse ajo është e lirë dhe “potencialisht që mund të prishë provat e hetimit.”
Sulo shtoi se situata është agravuar edhe në Parlament, ku, sipas tij, Rama dhe Balluku nuk vijnë në seanca dhe ajo ka tërhequr projektligjet nga shqyrtimi në Kuvend pikërisht sepse “nuk shkon dot”.
Thirrje për dorëheqje në kryesi
Lidhur me situatën e brendshme të PD-së, Sulo theksoi se zgjidhja nuk është thjesht analiza, por veprimi.
“Duhen shkarkuar ata që nuk patën rezultate dhe të rinjtë vijnë vetë. Duhet të iki kryesia e PD-së,” përfundoi Sulo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




