Reshjet sjellin probleme të izoluara në qarqet Gjirokastër, Elbasan dhe Kukës. Rënie gurësh dhe prani uji në disa akse, por të qarkullueshme

Aktualitet | 12 muaj më parë

Reshjet e shiut me intensitet të ulët deri në të lartë kanë përfshirë gjatë natës disa zona të vendit, duke shkaktuar probleme të përkohshme në qarkullimin rrugor dhe në furnizimin me energji elektrike.

Në qarkun Gjirokastër, reshjet me intensitet të lartë sollën rritje të prurjeve dhe prani të shtuar uji në disa zona. Probleme janë shënuar në aksin Gjirokastër–Tepelenë pranë urës së Kardhiqit dhe në rrethrrotullimin e urës së lumit në qytet. Ndërkohë, mungesa e energjisë elektrike vazhdon vetëm në fiderin Maricaj, që furnizon disa fshatra të Njësisë Administrative Luftinjë dhe Buz në Bashkinë Memaliaj.

Në qarkun Elbasan, reshjet kanë shkaktuar rënie gurësh, inertesh, pemësh në disa akse rrugore, përfshirë Elbasan–Qafë Thanë, Elbasan–Peqin, Elbasan–Gjinar dhe Gramsh–Moglicë. Në qytetin e Elbasanit është regjistruar prani e shtuar e ujit, por pa bllokime. Probleme janë raportuar edhe me energjinë elektrike në disa zona malore të bashkive Librazhd, Prrenjas, Gramsh dhe Elbasan, ku po punohet për rikthimin e furnizimit.

Në qarkun Kukës, akset nacionale janë nën rrezik nga rënia e gurëve, inertesh dhe vërshimi i ujërave, megjithëse vijojnë të jenë të qarkullueshme falë ndërhyrjeve të vazhdueshme. Problemi më i rëndësishëm është dëmtimi i një ure në Bashkinë Has, që lidh fshatrat Dobrunë dhe Bardhosh. Ndërprerje energjie raportohen në disa njësi administrative të bashkive Kukës dhe Has, përfshirë Zapod, Shishtavec, Topojan, Gjinaj dhe Fajza.

Pavarësisht këtyre problematikave të izoluara, strukturat e emergjencave civile mbeten në gatishmëri dhe situata konsiderohet e menaxhueshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme