Front i përbashkët me Britaninë, zgjerohet Task Forca e Migracionit, bashkohen Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut

Lufta kundër emigracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar merr një dimension të ri rajonal. Duke nisur nga sot, Task Forca e Përbashkët për Migracionin, e krijuar fillimisht mes Britanisë së Madhe, Shqipërisë dhe Kosovës, është zgjeruar zyrtarisht me dy anëtarë të rinj: Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Ky zgjerim, sipas njoftimit për shtyp të policisë, krijon një front operacional të konsoliduar përballë fenomeneve shqetësuese të kohës, “duke u fokusuar jo vetëm te lëvizjet migratore ilegale, por edhe te gjurmimi dhe goditja e aseteve të krimit”.
Proda: Më shumë se protokoll, një kapitull i ri
Gjatë takimit që zyrtarizoi këtë bashkëpunim, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, e cilësoi pjesëmarrjen e vendeve të rajonit si një mundësi reale për rezultate konkrete dhe jo thjesht si një procedurë diplomatike.
“Prania juaj sot këtu është më shumë se protokoll – është një mundësi reale për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi rajonal,” u shpreh Proda.
Ai theksoi gatishmërinë e Shqipërisë për të marrë rol lider në ndarjen e eksperiencës së fituar nga bashkëpunimi i deritanishëm me palën britanike.
“Ne jemi të gatshëm të ndajmë modelet tona operative, të ofrojmë eksperiencën e Task-Forcës sonë dhe të ndërtojmë mekanizma të përbashkët për parandalim, verifikim dhe goditje të krimit ndërkufitar,” tha ai.
Strategjia e re, teknologji dhe operacione të sinkronizuara
Për të pasur sukses në këtë luftë të përbashkët, Proda prezantoi një qasje të bazuar në pesë shtylla kryesore operacionale:
- Shkëmbim informacioni në kohë reale.
- Verifikime më të shpejta të personave të dyshuar.
- Operacione të sinkronizuara mes policive të pesë shteteve.
- Standarde të unifikuara pune.
- Përdorim i teknologjive moderne për monitorim dhe hetim.
Rezultatet dhe angazhimi
Në mbyllje të fjalës së tij, Proda nënvizoi se Shqipëria mbetet një partner i besueshëm për aleatët ndërkombëtarë, duke sjellë si argument suksesin e arritur deri tani në frenimin e gomoneve drejt Britanisë.
“Rezultatet e deritanishme tregojnë se kur punojmë së bashku, migracioni i paligjshëm, rrjetet kriminale dhe trafiku ndërkufitar mund të frenohen në mënyrë të ndjeshme,” përfundoi Proda.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




