“Trialog” në RTSH/ Vangjeli: Ballukun nuk e lanë të fliste në Parlament, humbën shansin për përgjigjet

Analisti Lorenc Vangjeli, i ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH, ka komentuar debatin e nxehtë në Kuvend, duke vlerësuar deklaratën e zëvendëskryeministres Belinda Balluku mbi standardet e ndryshme ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Sipas Vangjelit, Balluku artikuloi një “të vërtetë të madhe” që lidhet me diskursin publik mbi drejtësinë: “SPAK shahet kur heton Berishën dhe lavdërohet kur heton nga PS”.
Humbja e një shansi
Analisti kritikoi ndërprerjen e seancës, duke vënë në dukje se deputeti i opozitës, Agron Shehaj, pengoi Ballukun të fliste. Kjo sipas tij ishte një mundësi e humbur për publikun.
“Ballukun nuk e lanë të fliste. Më pas seanca u ndërpre duke u humbur një shans për shqiptarët që thashethemet hamendjet të merrnin përgjigje,” u shpreh Vangjeli.
Vangjeli u ndal edhe te strategjia politike e ish-Kryeministrit Sali Berisha. Ai e cilësoi Berishën si një “takticien i madh politik”, por e kritikoi për mungesë sinqeriteti lidhur me çështjet hetimore.
Sipas Vangjelit, Berisha nuk thotë të vërtetën kur flet për fotokopje apo prishje dokumentacioni, deklarata që lenë të kuptohet për prishje provash.
Ai theksoi aftësinë taktike të Berishës për të krijuar aleanca momentale, duke thënë se Berisha “madje e bëri aleate të PD-së Ballukun, në përpjekjet kundër Veliajt”.
Në përfundim, Vangjeli bëri një vlerësim të përgjithshëm duke nënvizuar se: “Berisha është mjeshtër për të fituar beteja të vogla, por dhe mjeshtër për të humbur betejat e mëdha.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




