FMN: Shqipëria gëzon një rritje ndër më të lartat në Evropë, borxh publik në rënie dhe rezerva të forta valutore, me rëndësinë e reformat për në BE

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i drejtuar nga Anke Weber, përfundoi vizitën e tij në Tiranë, duke theksuar se ndërsa Shqipëria gëzon një rritje ndër më të lartat në Evropë, borxh publik në rënie dhe rezerva të forta valutore, vendi ndodhet në një pikë kthese delikate në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, FMN vlerëson synimin e qeverisë për t’u anëtarësuar në BE deri në vitin 2030, por thekson se reformat e brendshme të realizuara në kohë janë thelbësore për të ruajtur stabilitetin dhe për të rritur produktivitetin, veçanërisht në sfondin e një rritjeje të drejtuar kryesisht nga turizmi.
Perspektiva ekonomike
Raporti parashikon një rritje të PBB-së reale prej 3.5% në 2025 dhe 3.6% në 2026, të nxitur kryesisht nga konsumi privat. Turizmi mbetet një shtyllë e qëndrueshme. Megjithatë, balanca e rreziqeve është “zhvendosur drejt kahut të poshtëm”, duke përmendur mjedisin e jashtëm të trazuar nga tensionet gjeopolitike dhe luhatjet në tregjet financiare globale.
Rreziqet e brendshme ku theksohet një rënie e theksuar e popullsisë në moshë pune që mund të thellojë mungesat e fuqisë punëtore, të nxisë inflacionin dhe të zbehë perspektivat e rritjes.
Të ardhurat, shpenzimet dhe “Paqja Fiskale”
FMN thekson në raport nevojën urgjente për të ruajtur hapësirat fiskale përmes mobilizimit të qëndrueshëm të të ardhurave dhe përmirësimit të cilësisë së shpenzimeve publike.
“Borxhi publik projektohet të bjerë në rreth 50% të PBB-së deri në 2030, por nevojat e larta për financim bruto kërkojnë vazhdimin e reformave të menaxhimit të borxhit.”, theksohet në raport.
Lidhur me reformën tatimore, FMN rekomandon heqjen graduale të shpenzimeve tatimore të kushtueshme dhe regresive (si pragjet e larta të përjashtimit nga TVSH-ja), vendosjen e një takse mbi pronën bazuar mbi vlerën, dhe forcimi i administratës tatimore.
FMN, nga ana tjetër, paralajmëron se marrëveshja e propozuar e ‘Paqes Fiskale’, me fshirjen e detyrimeve dhe rivlerësimin e pasqyrave financiare, rrezikon të minojë pajtueshmërinë tatimore dhe të përmbysë arritjet në modernizimin e administratës.
“Bonuset me bazë të gjerë për pensionet duhet të shmangen; në vend të tyre duhet të përdoren programe të asistencës sociale të targetuara mirë për grupet në nevojë.”, theksohet në raport.
Stabiliteti financiar dhe monetar
FMN kërkon një politikë monetare të zhdërvjellët nga Banka e Shqipërisë (BSH) dhe një fleksibilitet më të madh të kursit të këmbimit, i cili duhet të veprojë si amortizator i goditjeve.
“BSH duhet të lejojë fleksibilitet më të madh dhe të mbështetet te normat e interesit për stabilitetin e çmimeve, ndërsa ndërhyrjet në tregun valutor duhet të jenë të rezervuara për raste të rralla.”, thekson raporti.
FMN sugjeron që linja e re e kreditimit të subvencionuar nga BSH, edhe pse e vogël, mund të çojë në një alokim joefikas të burimeve.
Sipas FMN. sektori bankar mbetet i fortë, por kërkohet monitorim i kujdesshëm i rritjes së shpejtë të huadhënies për pasuri të paluajtshme, kredive në valutë dhe ekspozimeve ndaj huamarrësve të mëdhenj.
Për të rritur përfitimet nga integrimi në BE, FMN thekson nevojën për reforma që rrisin produktivitetin, duke pasur parasysh se produktivitetit për orë pune është nën mesataren e BE-së.
Ajo rekomandon forcimin e trajnimeve, zgjerimin e kurrikulave STEM dhe masat për uljen e informalitetit.
Sipas saj, reformat duhet të synojnë uljen e burokracisë, garantimin e një fushë loje të barabartë dhe promovimin e investimeve në kërkim dhe zhvillim (R&D).
“Autoritetet duhet t’i japin prioritet emërimeve të bazuara në meritë në organet e pavarura, përshpejtimin e digjitalizimit të procedurave gjyqësore dhe ruajtjen e pavarësisë operacionale të SPAK-ut për të ruajtur progresin në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.“, thuhet në raport.
Misioni i FMN-së falënderoi autoritetet shqiptare për bashkëpunimin produktiv, duke theksuar se zbatimi i qëndrueshëm i këtyre reformave do të jetë çelësi për një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe përfundimin e suksesshëm të procesit të integrimit evropian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




