Raporti i Bankës Botërore: Forcimi i financave publike është thelbësor për përshpejtimin e rritjes ekonomike  

Ekonomi | 12 muaj më parë

Banka Botërore ka theksuar se Shqipëria vijon të përparojë me ritme të qëndrueshme, duke arritur statusin e vendit me të ardhura të mesme të larta dhe drejt një ekonomie tregu plotësisht funksionale, drejt procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sipas një raporti të ri të Grupit te Bankës Botërore “Rishikimi i Financave Publike”, publikuar këtë të premte, 21 nëntor, thuhet se ritmi i reformave duhet të fokusohet në përmirësimin e financave publike për të përshpejtuar më tej rritjen ekonomike, për të krijuar vende pune cilësore dhe për të investuar në sektorë jetikë si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura.

“Perspektivat e rritjes ekonomike së Shqipërisë varen nga forcimi i kapitalit njerëzor, përmirësimi i infrastrukturës dhe avancimi i politikave klimatike për të përshpejtuar konvergjencën me BE-në, veçanërisht në kontekstin e ndryshimeve demografike. Shqipëria mund të rrisë investimet tek njerëzit dhe të forcojë ekonominë duke rritur nivelin e të ardhurave dhe duke shpenzuar më me efikasitet”, tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë.

Raporti citon se “reformat e ndërmarra kanë forcuar sistemin tatimor, por të ardhurat mbeten nën nivelin e potencialit të tyre, si pasojë e mosdeklarimit të pagave, informalitetit, përjashtimeve dhe mangësive në zbatim”.

Për zgjidhjen e këtyre, sipas Bankës Botërore, masat prioritare “përfshijnë formalizimin e qirave afatshkurtra, përfshirjen e taksës mbi pronën bazuar në vlerën e tregut, zbatimin e taksës së karbonit për qymyrin dhe përafrimin e nivelit të taksave mbi duhanin me ato të BE-së. Këto masa mund të gjenerojnë të ardhura vjetore deri në 0.9% të PBB-së, me përfitime shtesë nga rishikimi i përjashtimeve dhe përmirësimi i administrimit tatimor”, thuhet në raport.

Raporti identifikon mundësi për të përmirësuar efikasitetin në sektorët kyç, duke siguruar përfitime më të mira nga burimet ekzistuese dhe duke i kthyer shpenzimet në përfitime konkrete për qytetarët.

“Buxheti i Shqipërisë është i përqendruar kryesisht tek pensionet, pagat dhe investimet kapitale, ndërsa shpenzimet për shëndetësi, arsim dhe politikat e tjera sociale mbeten relativisht modeste. Presionet demografike po rriten: deri në vitin 2060, rreth 29–34% e popullsisë parashikohet të jetë mbi moshën e pensionit. Pensioni mesatar zë vetëm 32% të pagës – niveli më i ulët në rajon”, citohet në raport.

Raporti rekomandon zgjerimin e bazës së kontribuesve përmes stimujve për kontribute afatgjata, rritjen e nivelit të përfitimeve, përmirësimin e barazisë dhe shtimin e një skeme me kontribute të përcaktuara për kontribuesit e rinj dhe thjeshtimin e formulave për llogaritjen e pensionit.

“Reformat duhet t’i japin përparësi fuqisë së ardhme punëtore, duke zgjeruar shërbimet në fëmijërinë e hershme, ku aksesi mbetet i kufizuar. Vetëm 10% e fëmijëve nën moshën tre vjeç janë të regjistruar në çerdhe publike, dhe 18 bashki nuk ofrojnë këto shërbime. Zgjerimi i aksesit dhe cilësia e këtyre shërbimeve janë thelbësore për të mbështetur pjesëmarrjen e fuqisë punëtore në tregun e punës, për të reduktuar pabarazinë gjinore dhe për të forcuar kapitalin njerëzor.

Zbatimi i këtyre reformave, së bashku me ruajtjen e disiplinës fiskale dhe krijimin e hapësirave financiare rezervave financiare, janë jetike për të mbështetur zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë dhe për të përshpejtuar konvergjencën me nivelin e të ardhurave të BE-së”, thotë raporti i Bankës Botërore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme