Përmbytjet, banorët kërkojnë ndihmë, dhjetëra hektarë tokë nën ujë, shtëpi dhe investime bujqësore të dëmtuara
Situata e krijuar nga moti i keq në zonat e prekura vazhdon të mbetet problematike. Në fshatrat Rrilë dhe Babullojë, të bashkisë Lezhë, banorët kërkojnë ndihmë emergjente.
Përmbytjes nuk i ka shpëtuar as kisha e Barbullojës. Mesa duket nuk mjaftojnë vetëm lutjet. Famullitari Padre Dario shprehet i shqetësuar.
“Uji fillimisht hyri në pjesën mbrapa dhe më pas, pasdite uji u fut edhe brenda kishës”, u shpreh ai.
Në zonat e përmbytura, banorët kërkojnë ndihmë në këtë situatë të vështirë.
Ndërkohë, Lumi Seman ka dalë nga shtrati në fshatrat e bashkisë Dimal, duke përmbytur serat bujqësore dhe stanet e bagëtive. Uji ka arritur deri në një metër lartësi në Goriçan, duke dëmtuar prodhimin dhe duke detyruar blegtorët të largojnë bagëtitë.
“Kam një pjesë toke ku ka futur disa koshere bletë, nuk e di a janë përmbytur, nuk kam mundësi t’i shoh”, tha një banorë.
“Tokat i mbollëm grurë, tani i përmbyti lumi, nuk e dimë se çfarë do bëhet tani me ne”, u shpreh një tjetër.
Përmbytjet kanë prekur edhe shtëpitë në dy fshatrat e qarkut të Beratit, Çiflig dhe Arrëz. Uji ka hyrë deri në një metër në banesa, duke dëmtuar orenditë dhe pasuritë. Dëmet konstatohen në 110 banesa dhe 500 hektarë tokë bujqësore si pasojë e daljes së Lumit Osum nga shtrati.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




