Devoll- Ushtria dhe Ministria e Bujqësisë mbyllin çarjen e argjinaturës për të shmangur përmbytjen e Fushës së Maliqit

Aktualitet | 11 muaj më parë

Një operacion i gjerë logjistik dhe inxhinierik po zhvillohet orët e fundit në zonën e Sheqerasit, ku shteti ka angazhuar të gjitha kapacitetet për të shmangur përmbytjen e Fushës së Maliqit.

Strukturat e Ministrisë së Bujqësisë, në bashkëpunim me Bashkinë e Devollit dhe Forcat e Armatosura, po punojnë pa ndërprerje për mbylljen e çarjes së argjinaturës së lumit Devoll, e cila u dëmtua nga prurjet masive të ditëve të fundit.

Për shkak të terrenit të vështirë dhe për të mundësuar mbërritjen e mjeteve të rënda deri në pikën kritike, po ndërtohet një rrugë e përkohshme me gjatësi 3.2 kilometra.

Inspektimi

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me Prefektin e Korçës Nertil Jole, kryebashkiakun e Devollit Gëzim Topçiu dhe drejtues të Bordit të Kullimit, inspektuan nga afër punimet në zonën e dëmtuar.

Sipas ministrit Salla, ndërhyrja e shpejtë me një pritë provizore ka dhënë efektet e para, duke ndalur vërshimin e ujit drejt tokave bujqësore. Ai theksoi se po shfrytëzohet çdo minutë e motit të mirë për të bërë mbylljen përfundimtare.

“Prioritet absolut mbetet mbyllja e çarjes për të shmangur çdo përmbytje të mundshme. Ekipet janë në gatishmëri të plotë dhe puna po zhvillohet me intensitet maksimal, 24 orë në 24. Çdo orë që fitojmë është e rëndësishme për sigurinë e zonës përpara reshjeve të radhës,” deklaroi Salla gjatë inspektimit.

Masat në terren

Aktualisht, në zonën e Sheqerasit janë përqendruar ekskavatorë dhe kamionë të shumtë, të cilët po transportojnë gurë dhe materiale inerte për të stabilizuar argjinaturën. Situata paraqitet më e qetë, pasi uji ka nisur të tërhiqet nëpërmjet rrjetit kullues, falë ndërprerjes së reshjeve.

Reagimi i ministrit në rrjetet sociale

Përmes një postimi publik, Ministri Salla konfirmoi angazhimin maksimal të strukturave shtetërore, duke vlerësuar punën e Bordit të Kullimit Korçë.

“Së bashku me Kryetarin e Bashkisë dhe Prefektin inspektuam punimet në Sheqeras, ku falë punës së Bordit të Kullimit Korçë është ndalur depërtimi i ujit me anë të pritës provizore. Në bashkëpunim me bashkinë dhe Forcat e Armatosura, po ndërtohet me ritme të shpejta një rrugë provizore 3.2 km për transportin e inerteve, me synimin për të përfunduar ndërhyrjet përpara rikthimit të reshjeve,” shkruan ministri.

Operacioni pritet të përfundojë brenda pak orësh, duke garantuar sigurinë e banorëve dhe tokave bujqësore të zonës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme