PD “notë verbale” BE-së: Deklarata e Komisioneres Kos e pavërtetë, injoroi krimin në zgjedhje

Politikë | 11 muaj më parë

Opozita shqiptare ka reaguar ndaj deklaratave të Komisioneres së re për Zgjerimin, Marta Kos, duke zyrtarizuar pakënaqësinë përmes rrugëve diplomatike. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i ka dërguar sot një “Notë Verbale” Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, me dije edhe për Komisionin dhe Parlamentin Evropian.

Në qendër të këtij reagimi është cilësimi i zgjedhjeve të 11 Majit si “të lira dhe të ndershme” nga ana e zyrtares së lartë të Brukselit, gjatë vizitës së saj të fundit në Tiranë.

Më 21 nëntor, në krah të Kryeministrit Edi Rama, Komisionerja Kos deklaroi se zgjedhjet ishin të rregullta, një qëndrim që sipas Bardhit është në kundërshtim flagrant me raportet ndërkombëtare.

“Ne shprehim me respekt shqetësimin tonë se ky vlerësim nuk pasqyron realitetin e vërejtur gjatë procesit zgjedhor. Një deklaratë e tillë duket e papërputhshme me gjetjet e OSBE-ODIHR,” shkruhet në notën e protestës.

Sipas PD-së, ky qëndrim rrezikon të minojë besimin e qytetarëve shqiptarë tek institucionet e BE-së, pasi bie ndesh me atë çka vetë vëzhguesit evropianë kanë konstatuar në terren.

Bardhi i ka kujtuar Delegacionit mbledhjen e Komitetit për Çështjet e Jashtme (AFET) të Parlamentit Evropian (4 qershor 2025). Në atë mbledhje, kreu i misionit të vëzhguesve të PE-së, Michael Gahler, sipas Bardhit, “kishte ngritur alarmin për ndikimin e krimit“.

Bardhi citon Gahler, i cili fliste për “struktura kriminale të ngulitura në Shqipëri që kanë interes të mbajnë pushtetin politik të pandryshuar për të vazhduar aktivitetet e pastrimit të parave dhe trafikut të drogës”. Sipas opozitës, BE nuk mund të mbyllë sytë para një infiltrimi kaq sistematik kriminal që deformon vullnetin e zgjedhësve.

Në notën verbale, Bardhi thekson se termi “të lira dhe të ndershme” nuk është thjesht një sllogan, por kërkon kushte konkrete që më 11 Maj munguan:

Mungesë të presionit ndaj votuesve;

Mos-përfshirje të grupeve kriminale;

Mungesë të intimidimit të administratës;

Kushte të barabarta për të gjithë garuesit.

Dokumenti mbyllet me një kërkesë të drejtpërdrejtë për Brukselin: Deklaratat e ardhshme duhet të bazohen në faktet e raporteve teknike (OSBE/ODIHR) dhe jo në interpretime personale.

“Interpretimet personale që nuk bazohen në gjetjet faktike… mund të kontribuojnë pa qëllim në uljen e besimit publik tek vlerat e vërteta evropiane,” përfundon nota e PD-së.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme