Bisedimet për marrëveshjen me Rusinë, Kievi kërkon që Zelensky të takohet këtë javë me Trump
Rustem Umerov, kreu i Këshillit të Sigurisë së Ukrainës, u shpreh të martën se shpresonte të organizonte mbajtjen këtë javë të një vizite të presidentit Volodimir Zelenski në SHBA, pasi bëri me dije se vendi i tij dhe SHBA kishin arritur një mirëkuptim për sa i përket termave kyçe të planit për paqen me Rusinë që u diskutua nga delegacionet e dy vendeve në Gjenevë. Një zyrtar amerikan u shpreh për korporatën britanike të transmetimit se Ukraina ishte dakordësuar për një marrëveshje paqeje por ndërkohë ekzistonin disa detaje të vogla që duheshin zgjidhur.
Megjithatë, boshllëku mes kushteve që Ukraina dhe Rusia mund të pranojnë është ende i madh, dhe ka gjasë që Kremlini të mos dakordësohet për marrëveshjen për të cilën Kievi mund të japë dritën jeshile. Udhëheqësit evropianë dhe Kievi kritikuan draftin fillestar të planit amerikan të paqes, për të cilin thanë se përmbushte pjesën më të madhe të kërkesave ruse.
Kundërpropozime të përpiluara nga Britania, Franca dhe gjermania përjashtuan njohjen e krahinave lindore ukrainase si pjesë të Rusisë, rritën kufirin e numrit të forcave të armatosura të Kievit dhe lanë derën hapur për anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski mirëpriti ndryshimet e propozuara.
Por një zyrtar i Kremlinit i hodhi ato poshtë duke i cilësuar jo konstruktive. Megjithatë një zyrtar amerikan u shpreh për korporatën britanike të transmetimit se një delegacion amerikan do të takohet sot në Abu Dhabi me përfaqësuesit rusë për të diskutuar planin.
Ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, që nuk merr pjesë në takimin e Abu Dhabit, bëri me dije se Kremlini ende ku kishte marrë në dorëzim variantin e përkohshme, siç tha ai, të planit të rishikuar, duke shtuar ndërkohë që ai duhet të reflektonte atë që u bisedua mes presidentit amerikan dhe atij rus gjatë takimit që mbajtën në Alaskë në muajin gusht.
Ndërsa po bëhen përpjekje për të arritur një marrëveshje për ndaljen e luftës që ka gati katër vite që vijojnë, Rusia dhe Ukraina sulmuan njëra tjetrën me dronë dhe raketa dhe ku shtatë persona humbën jetën në Kiev.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




