Mbrëmje madhështore për Festat Kombëtare – Orkestra Simfonike e RTSH dhe TKOB sjellin kolonat zanore të filmave shqiptarë
Më 27 nëntor, Festat Kombëtare do të festohen me një ngjarje artistike të veçantë, ku muzika e kolonave zanore të veprave më të mëdha të kinematografisë shqiptare do të vijë më e bukur se kurrë. Orkestra Simfonike e RTSH-së, në bashkëpunim me Orkestrën dhe Korin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, do të ngjitin në skenë një koncert të jashtëzakonshëm në Sallën e Madhe të TKOB.
E ftuar në studion e emisionit “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH1, Drejtuesja Artistike e Orkestrës Simfonike të RTSH-së, Blerta Ristani, tregoi se ky projekt synon t’i afrojë edhe më shumë artdashësit me muzikën simfonike. Ajo theksoi se repertori i përzgjedhur është tejet atraktiv dhe se baza e tij mbështetet te pasuria e jashtëzakonshme e Arkivës së Filmave Shqiptarë, të cilën Orkestra e RTSH-së e ka shoqëruar historikisht me regjistrimet e saj.
“Kemi filluar gjithmonë e më shumë të bëjmë projekte mbi një repertor tjetër, i cili është shumë atraktiv për publikun, ku duhet të themi që publiku i Orkestrës Simfonike është deri diku i kufizuar. Me fushatën që drejtoresha ka shpallur se orkestra duhet të jetë pjesë më aktive e jetës artistike nëpërmjet programeve të ndryshme vijmë sot dhe tek ky projekt. Çdo vit bëjmë koncert për ditët e festave ku baza e repertorit është muzika simfonike shqiptare, e kompozitorëve më të shquar. Kemi një pasuri shumë të madhe që është Arkiva e Filmave Shqiptar për të cilën mbajmë vulën. Orkestra e RTSh ka mbuluar të gjitha regjistrimet e filmave dhe ka një pasuri kaq të madhe aty, kaq nostalgji dhe muzikë që na emocionon. I kemi përzgjedhur me shumë kujdes të gjitha materialet”, u shpreh Ristani.
Ajo vlerësoi po ashtu bashkëpunimin me TKOB, që mundësoi një formacion të jashtëzakonshëm prej 100 muzikantësh në skenë.
Koncerti pritet të ofrojë një udhëtim të paharruar në historinë e filmit shqiptar, duke sjellë emocione të forta dhe një përvojë unike për publikun në vigjilje të Festave Kombëtare.
“Ideja ka qenë plotësisht e RTSh, menjëherë drejtoresha u angazhua që çdo gjë të ishte shumë e saktë dhe e organizuar në kohë, asgjë nuk na mungon sepse Orkestra jonë mund të realizojë çdo gjë. Ideja e dy orkestrave duke shfrytëzuar një bashkëpunim me Teatrin e Operës i cili na vë në dispozicion dhe Korin e tyre është diçka më madhështore. 100 muzikantë do të jenë nesër në Sallën e Madhe të Teatrit të Operës dhe Baletit”, theksoi ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




