“Trialog” në RTSH, Sulo: Keta deri tani rezulton një figurë e pastër, Dumani dhe partnerët ndërkombëtarë rol vendimtar në zgjedhjen e tij

Aktualitet | 11 muaj më parë

Zgjedhja e Joni Ketës në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) nuk është thjesht një procedurë teknike, por një fitore e linjës së kreut të SPAK, Altin Dumani. Ky është konkluzioni i analistit Arion Sulo, i cili në emisionin “Trialog” në RTSH ka zbuluar detaje nga dinamika e brendshme e institucionit.

Sipas Sulos, përvoja e Ketës si drejtor i komanduar i dha avantazh, por vendimtare ishte mbështetja e Dumanit dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Analisti deklaroi se marrëdhënia mes kreut të SPAK, Altin Dumani, dhe ish-drejtueses së BKH-së, Aida Hajnaj, ishte inekzistente, deri në pikën e ndërprerjes së komunikimit.

“Në këtë garë vëmë re se ka luajtur rol edhe vetoja e Dumanit dhe e mbështetësve të tij në SPAK. Kjo sepse është folur se mes Dumanit dhe Hajnajt nuk ka pasur komunikim dhe punën e ka bërë me Joni Ketën,”, tha Sulo.

Kjo situatë e ka bërë Ketën partnerin natyral të prokurorëve specialë, duke i dhënë atij mbështetjen e strukturës për të marrë mandatin e plotë.

Një tjetër element kyç në këtë emërim, sipas Sulos, është roli i Shteteve të Bashkuara. Ai theksoi se partnerët strategjikë janë rikthyer fuqishëm në monitorimin dhe drejtimin e situatës në SPAK.

“Mendoj se ka pasur mbështetje dhe nga amerikanët. Besoj se amerikanët e kanë marrë në dorë më shumë se më parë situatën në SPAK. Linja Dumani dhe e mbështetësve të tij në SPAK është forcuar,”, analizoi Sulo.

Sulo vlerësoi edhe figurën e vetë kandidatit, Joni Keta. Ai e cilësoi Ketën si një figurë të pastër dhe të papërlyer, të paktën referuar të dhënave publike të deritanishme, çka e bën atë të pranueshëm për të gjitha palët.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme