“Jam fëmijë lufte”/ Vedat Ademi rikthehet pas 17 vitesh në Fest64: Dua që ky mesazh të dëgjohet!
Vedat Ademi rikthehet pas 17 vitesh në Festivalin e Këngës në RTSH. Këtë vit prezantohet për herë të parë me një këngë shkruar e kompozuar nga autorë nga Kosova.
Në një intervistë për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut, Ademi zbulon më shumë nga ky bashkëpunim. “Ftesa më erdhi nga Afërdita Saraçini Kelmendi, e cila është autorja e tekstit dhe producentja e këngës, bashkë me Xhevdet Gashin, një nga kompozitorët më të mëdhenj që ka pasur Kosova. Nuk mund të refuzoja një ftesë të tillë dhe një këngë të kësaj natyre”.
Këngëtari tregon se kënga e emocionoi që në dëgjimin e parë. “E ndjeva si këngë. Më erdhi natyrshëm të thosha ‘Po’ dhe mendova që është e denjë për Festivalin e Këngës”.
Kënga konkurruese në festival është një këngë personale për Vedat Ademin, pasi prek temën e luftës, të cilën ai e ka përjetuar kur ishte fëmijë në qytetin e lindjes në Mitrovicë. “Unë jam fëmijë lufte, e kam përjetuar luftën. Ka qenë një periudhë e vështirë për popullin tonë. Kemi parë tmerr me sy si fëmijë. Pavarësisht se kanë kaluar shumë vite nga lufta në Kosovë, bota vazhdon të jetë në zjarr, nga një luftë në tjetrën. Nuk është e qetë asnjëherë”, thotë ai.
Balada pop-rock titullohet “Kur fjala mbaron”. “Në luftë fjala kishte mbaruar, nuk mund të flisnim, ishim thjesht numra, nuk kishim emra. Ishim në një vend të persekutuar nga liria dhe çdo gjë tjetër”, shpjegon Ademi.
Ai vazhdon të ketë të njëjtin emocion si në çastin e parë që e dëgjoi këngën. “Edhe tani që flasim bota nuk është e qetë. Më vjen keq edhe për fëmijët sot që si puna ime kanë kaluar në tmerre dhe shkatërrime që lufta sjell. Dua që ky mesazh të dëgjohet. Kemi nevojë për solidaritet. Jetojmë në një botë materialiste, rrëmbehemi nga gjërat pa vlerë dhe harrojmë që jeta është më e rëndësishme nga gjithçka që kemi”, shprehet këngëtari.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




