Skandal me të dhënat në Elbasan, polici rrugor përdorte sistemin “E-Gjoba” për llogari të të tjerëve, pezullohet nga detyra

Një punonjës i Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan është pezulluar nga detyra pasi dyshohet se keqpërdorte aksesin e tij në sistemet policore për interesa të personave të tretë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë) njoftoi këtë të enjte ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për caktimin e masës së sigurisë me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
I pezulluari është inspektori me iniciale E.Sh., me detyrë efektiv në Trupën e Shërbimit të Trafikut Urban dhe Interurban.
Mekanizmi i abuzimit
Sipas hetimeve të kryera nga AMP, duke përdorur metoda speciale hetimi, është zbuluar se efektivit i policisë kishte hyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin elektronik të gjobave, i njohur si “E-GJOBA”.
Hetimet kanë provuar se inspektori nuk e përdorte sistemin për qëllime pune, por kërkonte të dhëna të mjeteve të ndryshme për llogari të personave të tretë, duke shkelur kështu rëndë detyrën dhe privatësinë e qytetarëve. Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në përfundim të njoftimit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore siguroi qytetarët për angazhimin e saj në pastrimin e radhëve të policisë nga abuzuesit.
AMP fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga punonjësit e policisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




