Taulant Balla i përgjigjet Berishës: Rastet në BE janë dorëheqje politike, jo pezullime nga gjykatat

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili publikoi një listë ministrash të vendeve të Bashkimit Evropian që, sipas tij, janë pezulluar gjatë hetimeve penale.
Balla ironizoi Berishën duke thënë se “të dëgjosh leksione nga ai mbi vendimet e gjykatave është njëlloj sikur të dëgjosh shejtanin të të shpjegojë psalmet e Biblës apo suret e Kuranit”. Ai akuzoi kreun e opozitës për mashtrim publik, duke theksuar se rastet e përmendura nuk kanë lidhje me pezullime nga gjykatat, por janë dorëheqje politike në kontekste të caktuara.
“Askush nga këto raste nuk lidhet me çështjen që duhet të shqyrtojë Gjykata Kushtetuese në Shqipëri. Ato janë dorëheqje politike, jo vendime pezullimi të ushtrimit të detyrës. Madje, rasti i dorëheqjes së Willy Claes nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s është shembulli tipik se si çdo procedurë duhet të kalojë përmes Parlamentit. Claes dha dorëheqjen vetëm pasi Parlamenti belg kishte dhënë autorizimin për hetimin gjatë kohës që kishte qenë ministër”, u shpreh Balla.
Ai iu kundërpërgjigj edhe akuzave të Berishës për ish-kryeministrin rumun Victor Ponta, duke e lidhur sulmin e Berishës me çështjen e njohjes së Kosovës.
“Sulmi yt i përhershëm ndaj Pontës lidhet me faktin që ai ishte kryeministri më i hapur rumun për njohjen e Kosovës, diçka që ty nuk të pëlqen, si dhëndër i Serbisë që je”, tha Balla.
Nga ana tjetër, Berisha në konferencën e sotme për shtyp kundërshtoi qëndrimin e Kryeministrit Rama, duke deklaruar se pretendimi se në BE nuk ka raste pezullimi ministrash është i rremë.
Ai përmendi si shembull ish-kryeministrin rumun Ponta, i cili sipas tij dha dorëheqjen sapo iu komunikua masa e pezullimit.
Ky përplasje mes mazhorancës dhe opozitës vjen në një moment kur Gjykata Kushtetuese pritet të japë vendimin për një çështje të ndjeshme që lidhet me pezullimin e një ministri në Shqipëri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




