“Sofra e Pavarësisë”, Shkodra shtron banketin gjigant, Beci: Një mbrëmje e jashtëzakonshme

Aktualitet | 11 muaj më parë

Qyteti i Shkodrës është veshur kuqezi dhe ka hapur dyert e mikpritjes si rrallëherë më parë. Në prag të 28 Nëntorit, kryeqendra e veriut ka organizuar “Sofrën e Pavarësisë”, një ngjarje që Kryebashkiaku Benet Beci e ka cilësuar si organizimin më të madh të këtij lloji të realizuar ndonjëherë.

Sipas gazetarit të RTSH 24, aktiviteti “Sofra Shqiptare në zemër të Shkodrës” nuk është thjesht një festë, por një rikthim tek tradita e hershme e mikpritjes që bashkon shqiptarët.

Përgjatë gjithë javës, kjo sofër ka shërbyer si një vitrinë promovimi për produktet bio nga të gjitha trevat shqiptare, duke krijuar një mozaik shijesh autentike dhe duke evidentuar vlerat e trashëgimisë kulturore.

Mbrëmja e sotme kulmoi me një darkë solemne ku morën pjesë mbi 200 të ftuar nga mbarë hapësira shqiptare. Mikpritësi i shtëpisë, Kryebashkiaku Benet Beci, kishte në krah dy figura të larta politike: Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ministren e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali.

Mesazhi i Benet Becit

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Beci ndau emocionet e kësaj mbrëmjeje të veçantë, duke theksuar përmasat dhe rëndësinë e këtij bashkimi.

“Një mbrëmje e jashtëzakonshme në Shkodër! Sonte shtruam Sofrën e Pavarësisë, sofrën më të madhe të realizuar ndonjëherë, në zemër të Shkodrës. Një traditë e mikpritjes siç na ka hije, që na bashkoi në prag të 28 Nëntorit,” shkruan Beci.

Ai shprehu mirënjohjen për praninë e personaliteteve të larta: “Pata kënaqësinë të jem me dy mike të veçanta të Shkodrës: Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, si edhe me mbi 200 të ftuar nga mbarë trevat shqiptare.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme