81-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë, nderohen dëshmorët në të gjithë vendin
Me mesazhin se kujtimi i së kaluarës mbetet udhërrëfyes për vlerat dhe unitetin e sotëm, në mbarë vendin u zhvilluan këtë 29 nëntor, aktivitetet përkujtimore në kuadër të 81 vjetorit të Çlirimit të vendit. Në Shkodër, autoritete vendore, veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare nderuan sakrificën dhe kontributin e brezave që luftuan për liri.
“Me Çlirimin e Shkodrës, u çlirua e gjithë Shqipëria. Mujo Ulqinaku mbeti simbol i qënderesës antifashiste dhe i heroizmit të popullit shqiptar”, u shpreh Dhurata Tyli, Kryetare e Organizatës së Dëshmorëve, Shkodër.
Ceremoni përkujtimore edhe në Kukës e Has, ku u nënvizua se kjo dite duhet të shërbejë jo vetëm për të nderuar vlerat e luftës, por edhe si motiv për të kontribuar në përparimin e kombit shqiptar.
“Le të vazhdojmë ta ndërtojmë Shqipërinë me punë, duke mbajtur gjallë vlerat që na bashkojnë”, u shpreh Kryetari i Bashkisë Kukës, Albert Halilaj.
Ceremoni përkujtimore u zhvillua edhe në Lezhë, për të nderuar sakrificën dhe heroizmin e atyre që dhanë jetën për liri
Në Durrës të pranishmit theksuan rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe vlerave të Luftës Nacionalçlirimtare. Në Qytetin e Flamurit, u zhvilluan homazhe dhe u vendosën kurora me lule pranë lapidarit të dëshmorëve.
“Sot është edhe në ditë reflektimi për mënyrën sesi ne duhet t’i përkushtohemi dashurisë për Atdheun tonë”, u shpreh Kryetarja e Bashkisë, Bruna Mersini.
Në Gjirokastër, të pranishmit në homazhe nënvizuan se sakrifica e dëshmorëve mbetet themel i identitetit dhe lirisë sonë kombëtare.
“Lavdi Dëshmorëve, rroftë Shqipëria!”, uroi kryebashkiaku Flamur Golemi.
29-Nëntori u kremtua edhe në qytetin e Fierit.
“Është një ndjenjë krenarie. Vlerat e luftës do të vijojnë të përçohen brez pas brezi”, tha kreu i Bashkisë, Armando Subashi.
Atmosferë e njëjtë në çdo qytet të vendit, në nderim të 28 mijë të rënëve në luftën anti-Fashiste Nacional Çlirimtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




