Përmbytjet në Berat, Bozdo: 1 mijë hektarë nën ujë, fermerët të dëmshpërblehen 100%

Partia Demokratike ka kërkuar sot nga qeveria që të marrë përsipër dëmshpërblimin e plotë të fermerëve të prekur nga përmbytjet në qarkun e Beratit, duke akuzuar shtetin për dështim në menaxhimin e infrastrukturës mbrojtëse.
Deputeti demokrat, Eno Bozdo, në fjalën e tij në Kuvend, e përshkroi situatën në terren si dramatike, me dëme kolosale në bujqësi dhe blegtori.
Sipas Bozdos, pasojat e motit të keq janë rënduar nga mungesa e masave parandaluese.
“Situata në Berat pas përmbytjeve është e rëndë. Afro 1 mijë hektarë tokë janë të përmbytura. Për fat të keq, fermerëve u shtohet dhe humbja e mijëra krerë bagëtive,” tha ai.
Deputeti i PD-së ngriti gishtin e akuzës ndaj cilësisë së punimeve publike. Ai theksoi se paratë e hedhura për argjinatura kanë shkuar dëm, pasi ato nuk kanë mundur të përballojnë prurjet.
“Problem është sistemi i kanaleve kulluese që nuk funksionon. Shumë para janë investuar në ndërtimin e argjinaturave, të cilat nuk rezistuan sepse janë ndërtuar me cilësi të dobët. Infrastruktura kulluese është lënë në mëshirë të fatit,” denoncoi Bozdo.
Bozdo e cilësoi qasjen e qeverisë ndaj bujqësisë si “përbuzëse”, duke theksuar se fermeri shqiptar shihet vetëm si votues në kohë fushate.
“Është e domosdoshme mbështetja e shtetit. I bëj thirrje qeverisë për dëmshpërblim 100% të fermerëve nga dëmet e shkaktuara. Fermeri shqiptar në këtë qeverisje është i lënë mënjanë,” përfundoi deputeti demokrat.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




