Reforma e taksës mbi pronën, Malaj: Vitin e ardhshëm 1.4 mld lekë më shumë të ardhura. Brenda 2026, të gjitha bashkitë të integruara në sistemin e Kadastrës Fiskale

Shqipëria ka nisur zyrtarisht zbatimin e reformës së re të taksës dhe pasurisë së paluajtshme, një nismë madhore që synon krijimin e një sistemi modern e transparent të taksimit të pronës, të bazuar në vlerën e tregut. Reforma synon të forcojë rolin e bashkive në mbledhjen e të ardhurave dhe të afrojë vendin me standardet e Bashkimit Evropian.
Gjatë prezantimit të projektit, Ministri i Financave Petrit Malaj theksoi rëndësinë strategjike të reformës, duke dhënë dhe afatet për zbatimin e saj. Sipas tij, brenda vitit 2026, të gjitha bashkitë do të jenë të integruara në sistemin e Kadastrës Fiskale, në vitin 2027 do të kryhet procesi kombëtar i vlerësimit të pronave dhe në vitin 2030 do të nisë zbatimi i taksës mbi tokën/truall, bazuar në një sistem të plotë të integruar dhe sipas standardeve europiane.
“Ne si ministri i Financave në bashkëpunim edhe me agjencinë suedeze të zhvillimit përmbyllim një ndër projektet më të rëndësishme siç është Pro Taks Albania dhe ka të bëjë me reformën e taksës mbi pronën. Ky projekt është i një rëndësie të veçantë dhe tërësisht me reformat që kjo qeveri po ndërmerr edhe në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE. Qëllimi ynë është të garantojmë një taksim të drejtë dhe efikas të pronës në Shqipëri si dhe të forcojmë rolin e Bashkive për mbledhjen e një prej taksave më të rëndësishme jo vetëm në rajon por edhe më gjerë.”, u shpreh ministri Malaj.
Ai shtoi se reforma është ndërtuar mbi analizat e kryera me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe synon të adresojë të gjitha problematikat e sistemit ekzistues.
Malaj u shpreh se të ardhurat nga kjo taksë në Shqipëri zënë rreth 0.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në një kohë kur vendet e Rajonit arrijnë të mbledhin të ardhura në rreth 0.8% të PBB-së. “Objektivi ynë është që ta çojmë peshën e kësaj takse në rreth 1% të PBB-së, në linjë edhe me standardet që kanë vendet e OECD-së”, u shpreh z. Malaj.
Ai theksoi se projektbuxheti 2026 ka parashikuar një rritje të mëtejshme të të ardhurave nga kjo taksë për llogari të bashkive në vlerën 10 miliardë lekë ose rreth 1.4 miliardë lekë më shumë sesa në vitin 2025. Por, pavarësisht se do të ketë një ligj të ri dhe Kadastra Fiskale funksionale, Ministri tha se kjo reformë nuk mund të materializohet pa angazhimin e plotë të bashkive për të garantuar zbatimin sa më efikas.
Malaj theksoi se brenda vitit 2026, të gjitha bashkitë do të jenë të integruara në sistemin e Kadastrës Fiskale. “Ky është parakushti thelbësor për çdo hap të mëtejshëm. Në vitin 2027 do të kryhet procesi kombëtar i vlerësimit të pronave. Ndërsa 2026-2027 do të shërbejë si periudhë trazitore deri në aplikimin e ligjit të ri. Në vitin 2028 parashikohet futja e vlerësimeve të bazuara në treg për ndërtesat, si dhe përmirësimi i normave dhe lehtësimeve. Dhe në vitin 2030 do të nisë zbatimi i taksës mbi tokën/truall, bazuar në një sistem të plotë të integruar dhe sipas standardeve europiane. Ky do të jetë edhe finalizimi i reformës!”, u shpreh ministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




