Nga “Diaspora” te “Partneriteti publik-privat”/ Komisioni i Ligjeve miraton 4 projektligjet e rëndësishme

Aktualitet | 11 muaj më parë

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike nën drejtimin e Ulsi Manjës, ka marrë në shqyrtim dhe ka miratuar katër projektligje që kanë të bëjnë me për nënproduktet me origjinë shtazore, për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.16/2018, “Për diasporën”, të ndryshuar, për koncesionet dhe partneritetin publik privat dhe projektligji për ratifikimin e Traktatit të Riadit për Disenjot dhe të rregulloreve sipas këtij traktati, bërë në Riad, më 22 nëntor 2024.

Fillimisht komisioni shqyrtoi projektligjin “Për nënproduktet me origjinë shtazore”, i cili u prezantua Arjan Jaupllari, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Në fjalën e tij z.Jaupllari u ndal tek nevoja e hartimit, qëllimi dhe risitë e projektligjit, të cilin e vlerësoi si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të mbrojtjes së shëndetit publik dhe të kafshëve në përputhje me standardet europiane dhe plotësimit të detyrimeve që ka vendi në kuadër të procesit të negociatave me BE.

Zëvendësministri sqaroi se projektligji përcakton rregulla të qarta për shëndetin publik dhe atë veterinar, duke ndarë nënproduktet në kategori rreziku, të cilat do ti nënshtrohen masave më të rrepta të trajtimit dhe asgjësimit.

Deputeti Tedi Mula në cilësinë e relatorit vlerësoi rëndësinë e projektligjit për plotësimin e detyrimeve që ka vendi në procesin e integrimit dhe duke nënvizuar kushtetutshmërinë dhe përputhshmërinë me Rregulloren e Kuvendit, ftoi kolegët ta miratojnë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.16/2018, “Për diasporën”, të ndryshuar”, i cili u prezantua nga  Vilma Premti, zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në fjalën e saj Premti parashtroi se projektligji synon modernizimin e kornizës ligjore që trajton çështjet e diasporës, për ta bërë atë më funksionale dhe gjithëpërfshirëse, si dhe nënvizoi se pjesë e nismës janë bërë sugjerimet e përfaqësuesve të diasporës.

Ndër të tjera Premti sqaroi disa prej ndryshimeve që synon të sjellë projektligji në drejtim të forcimit të rolit strategjik të Këshillit të Ministrave në mbështetjen e gjuhës shqipe dhe arbëreshe; rregullimin ligjor të Agjencisë së Diasporës; krijimi i qendrave kulturore për diasporën; zgjerimin e rolit dhe funksioneve të Këshillit Koordinues të Diasporës, etj.

Relatorja e çështjes, znj.Erjona Ismaili, vlerësoi rëndësinë e projektligjit për zhvillimin dhe konsolidimin e bashkëpunimit institucional me diasporën, si dhe nënvizoi kushtetueshmërinë dhe përputhshmërinë me Rregulloren e Kuvendit. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, për të cilin ishin ftuar Martin Kajo, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit, Reida Kashta, Drejtoreshë e Përgjithshme e APP, Emiliano Gjika, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve, si dhe stafi teknik i këtyre institucioneve.

Kajo parashtroi se projektligji synon krijimin e një kuadri të qartë, të qëndrueshëm dhe konkurrues për nxitjen e investimeve private nëpërmjet koncesioneve dhe partneriteteve publike private (PPP) dhe është në përputhje me standardet e BE-së.

Ndër të tjera Kajo sqaroi se projektligji përcakton rregullat për planifikimin, dhënien, administrimin dhe mbikëqyrjen e kontratave të koncesionit/partneritetit publik privat, duke u mbështetur në parimet e transparencës, mosdiskriminimit, proporcionalitetit, efikasitetit dhe sigurisë juridike.

Kajo nënvizoi se projektligji parashikon krijimin e komisioneve të specializuara në çdo autoritet kontraktues, si dhe një komitet ndërministror për përcaktimin e prioritetit të projekteve strategjike. Deputetja znj. Aulona Bylykbashi në cilësinë e relatores vlerësoi se projektligj synon përafrim të pjesshëm me direktivën 2014/23/BE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të datës 26 shkurt 2014, “Për dhënien e kontratave koncesionare”, dhe duke theksuar kushtetutshmërinë e tij ftoi kolegët ta miratojnë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen me disa sugjerime të relatores, si dhe në tërësi.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e Traktatit të Riadit për Disenjot dhe të rregulloreve sipas këtij traktati, bërë në Riad, më 22 nëntor 2024”, i cili u prezantua nga Martin Kajo, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit.

Në fjalën e tij Kajo sqaroi risitë dhe përfitimet nga ratifikimi i Traktatit, për të cilin saktësoi se përmban parime të rëndësishme, që garantojnë lirinë e shteteve anëtare për të përcaktuar kërkesat ligjore për disenjot e tyre industriale, zhvillimin e inovacionit e të krijimtarisë mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe përmirësimin e cilësisë së produkteve, që ndihmojnë në forcimin e konkurrencës në tregjet ndërkombëtare.

Deputeti Tedi Mula në cilësinë e relatorit vlerësoi kushtetutshmërinë dhe përputhshmërinë e projektligjit me legjislacionin ndërkombëtar. Pas diskutimeve, komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme