“Reforma e re e taksës së pronës ndikon tregun” – Eksperti Demirxhiu shpjegon rritjen e kostove dhe ngadalësimin e shitjeve
Shqipëria ka nisur zyrtarisht zbatimin e reformës së re të taksës dhe pasurisë së paluajtshme, një nismë që synon krijimin e një sistemi modern dhe transparent të taksimit të pronës, të bazuar në vlerën reale të tregut. Reforma pritet të forcojë rolin e bashkive në mbledhjen e të ardhurave dhe ta afrojë vendin me standardet e Bashkimit Evropian.
I ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH1, vlerësuesi i pasurive të paluajtshme, Ervin Demirxhiu, theksoi se ndryshimet e reja kanë sjellë ndikime të menjëhershme në tregun e pasurive të paluajtshme.
“Një pronë e pa rivlerësuar është një pronë që taksohet 15% ndërsa prona e rivlerësuar është 5% sigurisht që ka diferencë. Ne kemi pasur një treg shumë dinamik vitet e fundit që mund të themi se zona dhe prona të caktuara janë dyfishuar që vlera e dyfishuar goxha e lartë. Sot e kemi të pamundur të gjejmë një pronë për një klient që ka kredi. Qëkur u shpall se do të bëhej rivlerësimi kemi pasur një stopim të shitjeve. Ky quhet tatim dhe i takon shitësit sepse ai është pronari i pronës por sot të gjitha këto kosto i shkojnë blerësit”, u shpreh Demirxhiu.
Eksperti theksoi gjithashtu se, ndonëse tatimi i takon shitësit si pronar i pasurisë, aktualisht kostot po i kalojnë blerësit.
Reforma pritet të sjellë efekte të mëtejshme në tregun imobiliar në muajt në vazhdim, ndërsa aktorët e tregut presin qartësim më të madh të procedurave dhe ndikimit real të skemës së re.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




