Rikthehen “foltoret” në PD, analisti Neza: Debati mund ta forcojë opozitën, të krijohen ura lidhje me qytetarët
Analisti politik Sami Neza komentoi rikthimin e “Foltoreve” në Partinë Demokratike dhe dinamikat e reja brenda opozitës. Sipas tij, kërkesa e ish-kryeministrit Sali Berisha që aktivitetet të zhvillohen brenda strukturave të PD-së është normale, por ai e konsideroi “të nevojshme” edhe organizimet e tjera të kryera nga Salianji, duke e cilësuar si një lloj “oksigjeni” për partinë.
Në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, Neza theksoi rëndësinë e zhvillimit të debateve mes qytetarëve dhe drejtuesve lokalë të PD, duke argumentuar se kjo i shërben rivendosjes së komunikimit me elektoratin pas një periudhe të vështirë për demokratët.
“Nëse Berisha ka kërkuar që aktivitetet të zhvillohen brenda strukturave të PD-së, më duket një kërkesë normale dhe e nevojshme, si një lloj “oksigjeni” në PD. Është e rëndësishme zhvillimi i debateve me qytetarët dhe drejtues të ndryshëm gjatë këtyre takimeve. PD ka nevojë për konsolidimin e marrëdhënieve me qytetarët, duke pasur parasysh se katër vitet e fundit ka pësuar dëme të konsiderueshme, sidomos në marrëdhënien me elektoratin”, tha analisti.
Duke iu përgjigjur pyetjes për mundësinë e një përçarjeje brenda PD, për shkak të dy linjave paralelë të takimeve, Berisha në një krah dhe grupi Salianji–Alimehmeti në tjetrin, analisti Neza u shpreh se situata lidhet me nisjen e fushatës për zgjedhjet e brendshme në PD.
Ai shpjegoi se Berisha ka rifilluar “Foltoret”, ndërsa figura të tjera të dalë nga primaret po zhvillojnë takimet e tyre, shpesh të pakënaqur me pozicionin aktual në parti.
“Debati që ka nisur në PD lidhet edhe me zgjedhjet e brendshme në parti. Jemi në fillimet e kësaj fushate, që ka nisur në dy zona të PD-së: nga Berisha me ‘Foltoret’, ndërsa pjesa tjetër nga ata që konsiderohen ndër më të votuarit e primareve, por duket qartë që janë të pakënaqur me pozicionet e tyre në parti.
Nëse ata adresojnë çështjen e ndërtimit të një ure lidhjeje mes PD-së dhe qytetarëve, kjo është shumë pozitive. Problemin e shoh te grupi që po zhvillon takime jashtë strukturave të PD-së, pasi i mbajnë takimet vetëm brenda strukturave, pa synuar audienca të tjera që do të ishin edhe më të dobishme për PD-në dhe për rritjen e besimit mes opozitës dhe qytetarëve”, tha Neza.
Neza tha se problem është se grupi që po mban takime jashtë strukturave të PD-së duket i fokusuar vetëm te baza e partisë, pa tentuar të zgjerojë audiencën. Sipas tij, kjo qasje nuk i shërben PD-së, e cila ka nevojë të rikthejë besimin e votuesve të lëkundur.
Sipas analistit, debatet e brendshme nuk duhet të shihen si rrezik, por si mundësi për forcimin e opozitës.
“Ajo që i mungon opozitës gjatë fushatave elektorale është mbështetja e qytetarëve dhe menaxhimet e duhura për të fituar. Kjo nuk mund të arrihet vetëm nga lidershipi, por edhe nga aktorët e tjerë të opozitës. Opozita ka nevojë për një nivel tjetër përfaqësimi, ku shtresa të ndryshme të shoqërisë ta gjejnë veten brenda PD-së.
Debatin brenda PD-së nuk e konsideroj të dëmshëm apo një proces që mund ta “oksidojë” PD-në apo opozitën në përgjithësi. Nuk ka debat që shërben për keq; debatet synojnë forcimin e opozitës. Problemi qëndron mes njerëzve të përfshirë në këtë aksion: nëse këto takime duhet të bëhen në kuadër të PD-së. Këtë çështje duhet ta diskutojnë mes tyre dhe të arrijnë në një rezultat. Kjo mund të jetë një problematikë e brendshme për PD-në”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




