Pezullimi i zv.kryeministres, Rama: Cenim i balancës së pushteteve, bllokim i punës së institucionit

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pezullimi nga GJKKO-ja i Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherësh zv.Kryeministres Belinda Balluku është absurd si koncept, pasi sipas tij bllokon zinxhirin e vendimmarrjes së sektorëve që ministrja mbulon.
Në një komunikim në rrjetin social Facebook, Rama u shpreh se pyetjeve përse nuk e pezullon qeveria ministren lidhen me problemet themelore që do krijoheshin jo vetëm në zhbalancimin e pushteteve, por dhe me një precedent të rrezikshëm në qeveritë e ardhshme.
“Heqja e ministrit nuk do zgjidhte këtë problem themelor, por do krijonte një tjetër problem themelor për të nesërmen për çdo qeveri.
Miu i zhbalancimit të pushteteve që do kalonte këtë herë në mustaqe me idenë se ministrat mund të hiqen pa gjyq, pa dorëheqje, pa vendim të formës së prerë a kryeministrit dhe mjafton një masë sigurie të gjykatës së shkallës së parë, do kthehej në ujk që do kafshonte qeveritë, do përbuzte parlamentet, do përqeshte votën popullore. Ja pse kam shkuar në Gjykatën Kushtetuese. Kjo betejë institucionale për të hequr të parin pezullim në botë të një ministri me vendim gjykate s’ka lidhje fare me emrin e vetë ministri”, deklaroi Rama.
Rama deklaroi se ankimi i paraqitur prej tij në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me pezullimin e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, njëkohësisht zv.kryeministre, Belinda Balluku, nuk lidhet me personin, por me parimin dhe funksionimin e shtetit.
Rama u shpreh se pezullimi i një ministri me vendim gjykate përbën “precedentin e parë në botë” dhe një rrezik serioz për balancën e pushteteve.
“Prandaj unë kam shkuar në Gjykatën Kushtetuese sepse nuk jam këtu të flas për parimin e moscenimit të balancës mes pushteteve teorikisht, për mosndërhyrjen e një pushteti tjetër në përbërjen e ekzekutivit teorikisht, për mosmarrjen e kompetencave të kryeministrit nga një prokuror a gjykatës teorikisht.
Jo unë nuk flas teorikisht dhe nuk jam këtu të ndërhyj në punën e prokurorit a gjykatësit në fjalë.
Unë flas për cenimin konkret të balancës së pushteteve, ndërhyrjen brutale në përbërjen e qeverisë, për marrjen konkretet të kompetencave që Kushtetuta ja jep Kryeministrit dhe nuk thotë që ata mund toi përdorin sipas qejfit dhe prokurorët dhe gjykatësit.
Flas se si prekja e të gjithë këtyre, bllokon punët në sektorët përkatës, ku hyn dhe ajo marrëveshja me Kanadanë”, tha ai.
Rama theksoi se një prej marrëveshjeve që ka mbetur pezull pikërisht prej pezullimit të Ministres, është dhe ajo për fluturimet me Kanadanë.
“Ndër gjërat që janë bllokuar nga pezullimi deri tani, është dhe marrëveshje me Kanadanë për fluturimet ajrore, që po mundohemi mos e zgjidhim me Ministrinë e Jashtme.
E zëmë se e zgjidhëm. Po me 35 vendimet e tjera të qeverisë si do ia bëjmë? Po me lejet e ndërtimit me investimet në energji të rinovueshme, infrastrukturë, godina publike që kanë kaluar në KKT dhe nuk zbardhen dot pa firmën e pezulluar si do ja bëjmë? Këto janë punë të bllokuara që do shtohen përditë”, përfundoi Rama.
MESAZHI I PLOTË I KRYEMINISTRIT EDI RAMA
Përshëndetje! U bë sebep një mik i mirë për ta bërë këtë komunikim me një mesazh ku më shkuan “unë e kuptoj mirë shqetësimin tënd lidhur me parimin dhe me precedentin e rrezikshëm që krijon pezullimi i ministres se nesër bëhet rrugë dhe i bie që prokuror dhe gjykatës të heqin kë të duan nga qeveria, por ajo e linjës ajrore me Kanadanë mu duk pak e tepërt”.
Tani ok, mbase s’është pak e tepërt, mbase është shumë e tepërt, por shembujt që unë sjell, i sjell për të thënë se sa i tepërt është në fakt pezullimi i një ministri.
Sepse faktikisht ndryshe nga çdo funksionar publik që mund të pezullohet, ministri i pezulluar, jo vetëm që nuk firmos dot vet asgjë, por ama bën që askush tjetër të mos marrë dot vendim dhe të firmosë gjësendi në emër të dikasterit sepse Kushtetuta ia jep atij dhe vetëm atij, ministrit, autoritetin ekskluziv të padelegueshëm tek askush tjetër.
Prandaj dhe pezullimi i ministrit është absurd si koncept sepse është bllokim i krejt zinxhirit të vendimmarrjes për sektorët që ministri mbulon. Dhe ndër gjerat që janë bllokuar nga pezullimi deri tani është dhe marrëveshja me Kanadanë për fluturimet ajrore, të cilën po mundohemi tani mos e zgjidhim me Ministrinë e Jashtme. Ja ta zëmë që e zgjidhëm megjithëse mua më duket shumë e sforcuar, po me 35 vendimet e tjera të qeverisë si do ja bëjmë? Po me lejet e ndërtimit për investimet në energji të rinovueshme, në infrastrukturë, në godina publike që kanë kaluar në KKT dhe nuk zbardhen dot pa firmën e pezulluar, si do ja bëjmë? Dhe këto janë punë të bllokuara që do të shtohen përditë.
Prandaj dhe unë kam shkuar në Gjykatën Kushtetuese sepse nuk jam këtu për të folur për parimin e moscenimit të balancës mes pushteteve teorikisht, për mosndërhyrjen e një pushteti tjetër në përbërjen e ekzekutivit, teorikisht, për mosmarrjen e kompetencave të Kryeministrit nga një prokuror dhe një gjykatës, teorikisht. Jo! Unë nuk flas teorikisht dhe as nuk jam këtu të ndërhyj në punën e prokurorit dhe të gjykatësit në fjalë dhe as merrem me pse dhe si ata po merren me një dosje të caktuar të një anëtari të caktuar të kabinetit. Jo, unë flas për cenimin konkret të balancës midis pushteteve, për ndërhyrjen konkrete brutale në përbërjen e qeverisë, për marrjen konkrete të kompetencave që Kushtetuta ia jep kryeministrit, mua në këtë rast dhe nuk thotë gjëkundi që ato mund t’i përdorin sipas qejfit apo sipas tyre sipas nevojës dhe prokurorët dhe gjykatësit.
Dhe më konkretisht akoma pastaj flas sesi prekja e gjithë këtyre bllokon punët në sektorët përkatës ku hyn dhe ajo marrëveshja me Kanadanë, që e përmenda dje, jo pa qëllim. Dhe e përmenda pikërisht edhe sepse më vjen plasja që u bë kaq kohë që përpiqem me mish dhe me shpirt që të hapim ato fluturime trans-oqeanike për Shqipërinë dhe një marrëveshje e parë fantastike për shqiptarë që jetojnë në Kanada, por jo vetëm për ata, na bllokohet sepse na del ky “shkop në rrota”. Dhe besoj që sa shpjegova dhe sa po shpjegoj këto ditë jep përgjigje dhe pyetjes “po mirë pse nuk e heq ky ministren dhe ja ku u zgjidh edhe ky problem bashkë me gjithë litarin që i behet kular këmbeve te atyre sektorëve duke bllokuar punën.
Jo sepse heqja e ministrit në këtë rast nuk do zgjidhte këtë problem themelor, por do krijonte një problem themelor më vete për të nesërmen. Jo për mua, por për çdo qeveri, pasi “miu” i zhbalancimit të pushteteve që do të kalonte këtë herë në mustaqe me idenë që ministrat mund të hiqen pa gjyq, mund të hiqen pa vendim të formës së prerë, mund të hiqen pa dorëheqje, mund të hiqen pa vendim të kryeministrit dhe thjeshtë mjafton një masë sigurie në një gjykatë të shkalles së parë do të kthehej në një ujk që do kafshonte qeveritë, do përbuzë parlamentet, do përqeshte votën popullore nga ku dhe buron përbërja e çdo qeverie. Ja pse kam shkuar unë në Gjykatën Kushtetuese dhe ja pse kjo betejë institucionale aspak politike për të hequr të parin pezullim në botë të një ministri më vendim gjykate nuk ka asnjë lidhje fare me emrin e vetë ministrit!
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




