Macron vizitë zyrtare në Kinë-Takon Xi Jinpingun: Përdorni ndikimin tuaj që të ndalet lufta në Ukrainë

Presidenti francez Emmanuel Macron, gjatë vizitës zyrtare në Pekin i kërkoi drejtpërdrejt udhëheqësit kinez Xi Jinping të përdorë ndikimin e madh të Kinës mbi Rusinë për të ndihmuar në ndalimin e luftës në Ukrainë.
Ai e quajti bashkëpunimin mes dy vendeve “vendimtar” për stabilitetin global dhe i kujtoi Pekinit përgjegjësitë që i takojnë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Kjo vizitë vjen menjëherë pas takimit të Macronit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Paris, ku të dy ranë dakord se lufta duhet të përfundojë me një zgjidhje të drejtë.
Në Pekin, Macron e paraqiti agresionin rus jo vetëm si kërcënim për Evropën, por si rrezik për të gjithë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Përveç Ukrainës, presidenti francez vuri në tavolinë edhe çështjet ekonomike: deficitin tregtar të BE-së me Kinën që i kalon 357 miliardë dollarë në vit, varësinë e rrezikshme evropiane nga teknologjia dhe prodhimi kinez, si dhe nevojën që Kina të konsumojë më shumë dhe të eksportojë më pak.
Një këshilltar i Elysee-s tha se “Evropianët duhet të kursejnë më pak dhe të prodhojnë më shumë, ndërsa Kina të bëjë të kundërtën.”
Gjithashtu, Macron paralajmëroi se Parisi do të jetë kundër çdo mbështetjeje materiale apo teknologjike që i mundëson Rusisë të zgjasë luftën, transmeton France 24.
Xi Jinping u përgjigj me fjalimin e zakonshëm: kërkoi “zgjidhje politike”, foli për një arkitekturë sigurie “të balancuar dhe të qëndrueshme” në Evropë dhe përsëriti respektin për sovranitetin, por nuk e kritikoi kurrë Rusinë dhe nuk e përmendi qartë integritetin territorial të Ukrainës.
Pekini vazhdon të mbajë qëndrim neutral, por në të njëjtën kohë lejon eksportin e teknologjive me përdorim të dyfishtë dhe mbështetje satelitore që ndihmojnë ushtrinë ruse, ndërsa bllokon komponentë kritikë për dronët ukrainas.
NATO e ka quajtur hapur Kinën “ndihmës vendimtar” të luftës së Rusisë, dhe vetë ministri i Jashtëm kinez Wang Yi i kishte thënë këtë verë homologes evropiane Kaja Kallas se Pekini “nuk mund të përballojë një humbje të Rusisë”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





