“Cinema is Magic”, dokumentari që rikthen jetën dhe trashëgiminë e regjisorit Kristaq Mitro
Në errësirën e sallës së kinemasë, dritat ndizen për një rikthim të veçantë. Dokumentari “Cinema is Magic” sjell për herë të parë para publikut shqiptar jetën dhe trashëgiminë artistike të regjisorit Kristaq Mitro, një prej emrave që formësoi gjuhën e kinemasë shqiptare. Me regji të Dritan Mesarejes, filmi ndërton një rrëfim intim dhe të sinqertë, përmes dëshmive të aktorëve që i dhanë fytyrë dhe zë botës së Mitros: Timo Flloko, Rajmonda Bulku, Kastriot Çaushi, Bujar Asqeriu, mes kujtimesh, emocionesh dhe respekti të thellë.
Çdo kornizë është ndërtuar si një përkulje ndaj një artisti që e shihte filmin si poezi, si ritëm dhe si ndjesi. Një regjisor që nuk kërkoi zhurmë, por la gjurmë të pashlyeshme.
“Cinema is Magic” rikujton filmat që u bënë pjesë e historisë së ekranit shqiptar: “Dimri i fundit”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Njeriu i mirë”, “Apasionata”, “Duaj emrin tënd”, “Liri a vdekje” vepra që vazhdojnë të emocionojnë edhe sot. Ky dokumentar nuk është thjesht një film. Është një falënderim. Një rikthim në kujtesë. Dhe një dëshmi se kinemaja, kur është e ndërtuar me shpirt, mbetet e pavdekshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




