Aksion “blic” në rrugët e Tiranës me dronë dhe kamera inteligjente, mbi 2700 gjoba dhe 11 të arrestuar në 48 orë

Aktualitet | 11 muaj më parë

Rrugët e kryeqytetit kanë qenë nën monitorim gjatë 48 orëve të fundit, ku Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet për të disiplinuar trafikun e rënduar.

Sipas njoftimit të policisë, përmes një strategjie të kombinuar me patrulla në terren dhe teknologji të avancuar, përfshirë dronë dhe kamera inteligjente, fokusi kryesor ka qenë ndëshkimi i shkeljeve agresive si parakalimet e rrezikshme dhe mosrespektimi i radhës.

Sipas të dhënave zyrtare të policisë, 136 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për shkelje të nenit 174/2/b, që lidhet me mosrespektimin e radhës në trafik dhe parakalimet e rrezikshme – manovra këto që konsiderohen burim kryesor i aksidenteve në zonat urbane.

Një vëmendje i është kushtuar edhe parkimeve të gabuara. Janë vendosur plot 2,758 masa administrative për mjete që pengonin qarkullimin e lirë.

Policia ka përdorur edhe karrotrec-in për të larguar 17 automjete, të cilat u konstatuan me mungesë dokumentacioni, modifikime të paligjshme ose të parkuara në mënyrë të tillë që bllokonin rrugën.

“Siguria publike mbetet prioriteti kryesor, ku gjatë kontrolleve janë kapur 37 drejtues mjetesh nën ndikimin e alkoolit. Për shkelje më të rënda, 11 shtetas janë arrestuar ose proceduar penalisht për vepra të ndryshme në fushën e qarkullimit rrugor.“, njofton policia.

Në mbyllje të njoftimit, Policia Rrugore u bën thirrje qytetarëve për përgjegjësi maksimale.

“Garantojmë se kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë, ditë dhe natë, në të gjitha akset e kryeqytetit,” thuhet në njoftim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme