Plani i paqes, Zelensky në Londër për bisedime me udhëheqësit evropianë

Botë | 11 muaj më parë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të takohet të hënën në Londër me liderët kryesorë evropianë, në një moment kur aleatët e Ukrainës po diskutojnë presionin në rritje nga SHBA që Kievi të pranojë lëshime në bisedimet e paqes.

Në samitin e nivelit të lartë do të marrin pjesë kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz. Downing Street njoftoi se bisedimet do të fokusohen te negociatat aktuale të paqes dhe hapat e mëtejshëm.

Mbretëria e Bashkuar dhe Franca po udhëheqin përpjekjet për krijimin e një koalicioni të quajtur “Forca Shumëkombëshe e Ukrainës”, që synon të ofrojë mbështetje të qëndrueshme mbrojtëse për Kievin, përfshirë mundësinë e vendosjes së forcave të sigurisë në terren.

Takimi në Londër vjen ndërsa vendet evropiane po përpiqen të konsolidojnë rolin e tyre në procesin e paqes, në një kohë kur i frikësohen një zgjidhjeje të shpejtë të udhëhequr nga SHBA, e cila mund të komprometojë interesat afatgjata të Evropës.

Samiti vjen pas tre ditë bisedimesh në Florida, ku negociatorët ukrainas propozuan ndryshime në planin e Shtëpisë së Bardhë, një draft që shumë e shohin si tepër të favorshëm për kërkesat kryesore të Kremlinit.

Megjithëse Uashingtoni dhe Kievi folën për “përparim”, Presidenti amerikan Donald Trump publikisht kritikoi Zelenskyn të dielën, duke thënë se ai “nuk e ka lexuar ende” draft-marrëveshjen e paqes. Trump tha se ishte “pak i zhgënjyer” që presidenti ukrainas nuk e kishte shqyrtuar propozimin e dorëzuar vetëm pak orë më parë. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme