Zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë – Partitë dorëzojnë listat e kandidatëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve

Ka përfunduar në mesnatë afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Çdo parti duhej të paraqiste 110 kandidatë, edhe pse 20 vende në parlament janë të rezervuara për pakicat. Vetëvendosje publikoi listën pak minuta para mbylljes së afatit, pa surpriza të mëdha.
Në dhjetëshen e parë të VV-së janë Albin Kurti, Glauk Konjufca, Donika Gërvalla Schëartz dhe Avni Dehari. Më tej renditen Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Xhelal Sveçla, Mimoza Kusari, Hajrulla Çeku dhe Shqipe Selimi.
PDK-ja ka nisur listën me kryetarin e ri Bedri Hamza, ndjekur nga Uran Ismaili dhe Vlora Çitaku. LDK ka në krye Lumir Abdixhikun, Kujtim Shalën, Hykmete Bajramin dhe Ukë Rugovën, djalin e presidentit Rugova. Lista e AAK fillon me Ramush Haradinajn, Besnik Tahirin dhe Time Kadrijajn. Nisma ka zgjedhur tre deputetë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Fatmir Limaj, kreu i Nismës, tha se partia mund të ketë vështirësi për të kaluar pragun, por nëse ndodh, do t’i bashkohet grupit parlamentar të PDK-së. Ai bëri të ditur se nevojiten rreth 15 mijë vota për të siguruar kalimin e pragut.
Këto zgjedhje vijnë pas dështimit të Albin Kurtit për të formuar qeverinë e re. Me dy raundet e zgjedhjeve lokale, qytetarët do të shkojnë për herë të katërt në kutitë e votimit gjatë këtij viti.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




