Krimi shtetëror i 21 Janarit, ish-presidenti Bamir Topi në SPAK

Aktualitet | 11 muaj më parë

Ish-presidenti Bamir Topi u paraqit këtë të martë (9 dhjetor) në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku u pyet për rreth dy orë nga organi i akuzës për dosjen e “21-janarit”.

Në një komunikim të shkurtër për media pas daljes nga ambientet e SPAK, Topi tha se u pyet si person që ka dijeni ndërsa shtoi se dosja është në proces hetimi.

“Dihet funksioni i SPAK, hetimi për të dalë te e vërteta”, tha Topi.

Për këtë ngjarje SPAK ka marrë në pyetje ish-zyrtarë të lartë të Policisë, Gardës si dhe ish-Ministri e Brendshëm të kohës, Lulzim Basha, ish-kryeministrin Sali Berisha, etj,.

Hetimet për 21 janarit 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, që prej më shumë se një dekadë kërkojnë drejtësi për vrasjen e djalit të tyre, ndërkohë që është e vetmja vrasje pa autor në ngjarjen e 21 janarit. Në vitin 2020, Prokuroria e Tiranës i pezulloi hetimet edhe vrasjen e Aleks Nikës që kishte mbetur pa autorë për t’i rihapur sërish në 2021. Familja e Aleks Nikës ka kërkuar vazhdimisht që kjo çështje ti kalonte për hetim SPAK por ky i fundit nuk pranonte të hetonte një çështje e cila po hetohej njëkohësisht edhe nga Prokuroria e Tiranës.

Në 14 nëntorit 2023, Gjykata e Strasburgut doli në përfundimin se 21 janari ishte krim shtetëror dhe duhet të hetohet si i tillë nga drejtësia shqiptare. Strasburgu vendosi që për çështjen e Aleks Nikës t’i hapej rrugë hetimit të munguar. Me anë të këtij vendim familja Nika ju drejtua Gjykatës së Lartë.

Pas një viti, Gjykata e lartë doli më një vendim ku urdhëroi SPAK të regjistronte kallëzimin e familjes Nika dhe të niste hetimet për 21 Janarin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme