Bruksel/Ministrja Koçiu takon Komisionerin për Punët e Brendshme: Shqipëria e vendosur në përmbushjen e Kapitullit 24 dhe progresin në reforma

Aktualitet | 11 muaj më parë

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, zhvilloi këtë të martë (9 dhjetor) një takim me Komisionerin Europian për Punët e Brendshme dhe Migracionin, z. Magnus Brunner, ku rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për përmbushjen e detyrimeve të Kapitullit 24 dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe migracionit.

Ministrja u shpreh se “Shqipëria po ecën me vullnet të qartë politik dhe me vendosmëri në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian, duke avancuar reformat kyçe në fushën e rendit, sigurisë dhe menaxhimit të migracionit”.

Gjatë takimit, ajo informoi Komisionerin Brunner mbi hapat konkretë dhe progresin e arritur. Ndër to, veçoi finalizimin e kuadrit të ri strategjik për sigurinë dhe migracionin, forcimin e kuadrit ligjor kundër krimit të organizuar, përmes operacionalizimit të Zyrës së Rikuperimit të Aseteve.

Gjithashtu, Koçiu theksoi rritjen e hetimeve dhe operacioneve policore kundër trafikimit të emigrantëve, pastrimit të parave dhe gjurmimit të aseteve të krimit, në bashkëpunim të ngushtë me EUROPOL, FRONTEX, INTERPOL dhe partnerë të tjerë.

Ulja e flukseve të migracionit të parregullt, sipas statistikave kombëtare e të BE-së, u konsiderua si rezultat i kontrolleve dhe bashkëpunimit operacional të shtuar.

Ministrja Koçiu vlerësoi mbështetjen politike dhe teknike të KE-së dhe nënvizoi se Shqipëria do të mbetet një partner i besueshëm dhe plotësisht i angazhuar për sigurinë dhe stabilitetin e Europës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme