Komisioni Europian bastis selinë e Temu në Dublin për subvencionet e huaja

Europë | 11 muaj më parë

Komisioni Europian ka kryer një kontroll të papritur në selinë e platformës kineze të tregtisë elektronike Temu, me dyshimet se kompania ka përfituar subvencione të padrejta nga Kina.

Bastisja u zhvillua javën e kaluar në kuadër të Rregullores për Subvencionet e Huaja, e cila hyri në fuqi në vitin 2023 për të parandaluar sjellje anti-konkurruese në tregun e brendshëm të BE-së.

Lajmi u raportua fillimisht nga Bloomberg, ndërsa zëdhënësja e Komisionit për konkurrencën, Arianna Podesta, konfirmoi për Euractiv se inspektimi ishte kryer në një kompani aktive në sektorin e e-commerce në BE, pa e përmendur emrin.

“Komisioni ka kryer një inspektim të papritur në ambientet e një kompanie aktive në sektorin e tregtisë elektronike në BE,” tha Podesta, duke shtuar se veprimi u ndërmor sipas rregullores për subvencionet e huaja.

Ky zhvillim vjen pas presionit të shteteve anëtare të BE-së për të forcuar mbikëqyrjen ndaj platformave kineze si Temu, Shein dhe Alibaba, pas rasteve kur autoritetet franceze zbuluan produkte të rrezikshme të shitura nga Shein.

Qeveritë europiane kanë kërkuar masa më të ashpra ndaj këtyre kompanive, jo vetëm për konkurrencën e pandershme, por edhe për sigurinë e konsumatorëve.

Temu nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar për Euractiv lidhur me bastisjen.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme