Ish-kryebashkiaku Elvis Rroshi paraqitet në SPAK, zgjaten me 3 muaj hetimet për shpërdorim detyre

Ish-kryetari i Bashkisë Kavajë, Elvis Rroshi, është paraqitur sot në ambientet e SPAK, ku është thirrur nga prokurori Elvin Gokaj në kuadër të vendimit për zgjatjen e hetimeve me tre muaj të tjerë.
Prokuroria e Posaçme ka vendosur shtyrjen e afatit hetimor pasi është në pritje të një shtese të aktit të ekspertimit, e cila konsiderohet e domosdoshme për kompletimin e dosjes.
Rroshi është i pandehur për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pas kallëzimit të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që ka evidentuar parregullsi në disa procedura tenderuese gjatë periudhës kur ai drejtonte Bashkinë e Kavajës.
Sipas KLSH, dëmi ekonomik i shkaktuar kap vlerën 33 milionë lekë, dhe lidhet me tenderat për rikonstruksionin e qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve. Hetimet për çështjen vijojnë nën drejtimin e SPAK.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




