GJKKO i rrëzon kërkesën për të dalë nga kafazi dhe njohjen me aktet, Veliaj: Gjykata nuk ruan të njëjtin standard, po më shkelen të drejtat

Aktualitet | 11 muaj më parë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka paraqitur një kërkesë pranë GJKKO për rrëzimin e vendimit të gjykatës që refuzoi kërkesën e tij për t’u njohur personalisht me aktet e dosjes.

Veliaj kërkon gjithashtu heqjen e “masës së vendosjes në kafaz” gjatë seancave gjyqësore, duke argumentuar se kjo praktikë është në kundërshtim me standardet e Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata e Shkallës së Parë kishte argumentuar se njohja e mbrojtësit të Veliajt me dosjen është e mjaftueshme, por sipas Veliajt, kjo nuk e zëvendëson të drejtën e tij personale për të njohur aktet. Ai ka kërkuar revokimin e vendimit të gjykatës.

Veliaj theksoi se aktualisht nuk ka akses të plotë në materialet e dosjes, që përbëjnë rreth 60,000 faqe, dhe shto se interpretimi i ligjit duhet të lejojë që i pandehuri të ketë akses të drejtpërdrejtë dhe të njohë vetë materialet, pa u zëvendësuar nga mbrojtësi.

“Posaçërisht, i sjellim në vëmendje kësaj Gjykate se në procedimin penal nr.55 të vitit 2019, në seancën e datës 04.12.2025, e njëjta kërkesë për njohje dhe kopje të akteve është paraqitur nga vetë i pandehuri në seancë, dhe nga ana e Gjykatës kjo kërkesë është pranuar, duke urdhëruar organin procedues që ti mundësoj të pandehurit në paraburgim kopje të akteve të kërkuara personalisht nga ai. Rasti e sjell që edhe në procedimin penal nr. 55/2019, një nga përfaqësuesit e organit të akuzës përkon si në procedimin e relatuar dhe në procedimin ndaj të pandehurit Erion Veliaj.  Duke patur parasysh mënyrën e ndryshme të vendimmarrjes së kësaj Gjykate për procedimin kundër të pandehurit Erion Veliaj si dhe nevojën për të garantuar trajtim të barabartë të të pandehurve në zbatimin e nenit 34/a dhe 327 pika 2 dhe 3, mbi të drejtën e njohjes dhe marrjes së kopjes së akteve, personalisht nga i pandehuri, konstatojmë se qëllimi i kësaj kërkese është të vendoset i njëjti standard për mënyrën e procedimit dhe palët pjesëmarrëse në gjykimin e pranë kësaj Gjykate”, shkruan Veliaj në kërkesën për revokimin e vendimit të GJKKO.

Sipas Veliajt, gjykata ka vendosur në mënyrë të ndryshme për të pandehur të ndryshëm në lidhje me të drejtën për njohjen dhe marrjen e kopjeve të aktet, duke cituar shembullin e një tjetër procedimi penal ku një i pandehur ka mundur të marrë kopjet e dosjes.

“Theksojmë se kjo Gjykatë ka arsyetuar mbi rrëzimin e kërkesës për njohje me aktet me argumentin se është njohur mbrojtësi i zgjedhur nga i pandehuri Erjon Veliaj dhe është marrëdhënia e tij me të pandehurin për ta njohur atë më aktet. Prokurori është i detyruar të njoftojë secilin subjekt të listuar në mënyrë të veçantë, pra “të pandehurin, mbrojtësin e tij, si dhe viktimën”. Ligji përcakton se njoftimi duhet të përmbajë edhe “të drejtën për t’u njohur me aktet dhe për të marrë kopje”. Kjo e drejtë u adresohet të gjithë subjekteve që marrin njoftim pra edhe vetë të pandehurit. Dispozita nuk parashikon se e drejta e të pandehurit konsumohet ose shuhet nga ushtrimi i saj nga mbrojtësi.

Në momentin që i pandehuri shpreh vullnet të drejtpërdrejtë për t’u njohur vetë me aktet, organi procedues ka detyrimin ligjor t’ia garantojë këtë të drejtë. Ky vullnet nuk mund të shpërfillet me arsyetimin se mbrojtësi ka pasur akses në dosje, pasi e drejta procedurale e të pandehurit është personale dhe e pavarur nga mënyra e ushtrimit të mbrojtjes nga avokati”, thuhet në kërkesë.

Veliaj sqaron se “qëllimi i kësaj kërkese nuk është zvarrijta e procesit por garantimi i të drejtës kushtetuese, ku  parashikon se të pandehurit në paraburgim i duhet vënë në dijeni të plotë, reale dhe efektive materiale të çështjes”.

Seanca paraprake ndaj Erion Veliajt ishte parashikuar për ditën e sotme, por u shty më 5 janar. Shkak i shtyrjes ishte largimi i avokatit mbrojtës të Veliajt, Artan Gjermeni.

Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025. Ai akuzohet për përfshirje në disa raste korrupsioni, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe disa ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Tiranës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme